Zvërneci/ Rama gjen armiqtë grekë dhe përplaset në distancë me ish-kryeministrin Tsipras

Pas dhunës në Zvërnec dhe reagimeve që pasuan nga Athina, Edi Rama ka zgjedhur ta zhvendosë debatin nga përgjegjësia e institucioneve shqiptare te nuancat nacionaliste të politikës greke. Kryeministri i është përgjigjur në distancë ish-kryeministrit grek Alexis Tsipras, pas reagimit të partisë së tij për incidentin ku u plagos një minoritar grek, duke akuzuar të majtën greke se po e kthen një ngjarje të izoluar në çështje politike dhe po shpërfill faktet.

Në reagimin e saj, partia greke shprehet e shqetësuar për incidentin dhe e lidh atë me çështjen e të drejtave pronësore dhe të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.

“Po ndjekim me shqetësim të madh incidentin që ndodhi në zonën e Zvërnecit, në Shqipëri, gjatë një proteste të banorëve për të drejtat e tyre pronësore, ku si pasojë mbeti i plagosur një shtetas grek”, thuhet në reagimin e partisë greke.

Më tej, “Aleanca e Majtë Helene” i kërkon qeverisë greke të reagojë dhe e vendos çështjen në kontekstin e rrugës europiane të Shqipërisë.

“Qeveria duhet të ndërmarrë masat e duhura të protestës dhe të theksojë se një parakusht për përparimin e rrugës europiane të Shqipërisë është respektimi i shtetit të së drejtës, si edhe i të drejtave pronësore dhe të drejtës së vetëpërcaktimit të Minoritetit Kombëtar Grek”, thuhet në deklaratë.

Sipas partisë së Tsipras, këto kritere përbëjnë edhe qëndrimin zyrtar të Bashkimit Europian.

“Këto janë kritere që përbëjnë edhe qëndrimin zyrtar të Bashkimit Europian, pasi ato u pasqyruan për herë të parë në mënyrë të qartë në Konkluzionet e Këshillit Europian të datës 18 qershor 2019, me insistimin e atëhershëm të kryeministrit grek, Alexis Tsipras”, vijon reagimi.

Pas këtij qëndrimi ka ardhur përgjigjja e kryeministrit Edi Rama, i cili i është drejtuar drejtpërdrejt ish-kryeministrit grek Alexis Tsipras. Rama e cilëson incidentin në Zvërnec si të izoluar dhe akuzon partinë e Tsipras se po e kthen atë në një çështje më të gjerë politike, duke u bazuar sipas tij në gjysmë të vërteta dhe nuanca nacionaliste.

“Shpresoj të jesh në formë të shkëlqyer. Më fal që po të shqetësoj, por doja të ndaja habinë time se sa shpejt edhe partia juaj e re ka kontribuar në transformimin e një incidenti krejtësisht të izoluar në një çështje me rëndësi më të gjerë politike, duke shpërfillur faktet e vërtetuara ndërsa thekson gjysmë të vërtetat, të cilat shpesh janë forma më mashtruese e gënjeshtrës – veçanërisht kur janë të mbushura me nuanca nacionaliste, duhet ta them!”, shkruan Rama.

Kryeministri mohon që incidenti të ketë ndodhur në kuadër të një proteste normale për të drejtat e pronës. Sipas tij, ngjarja ndodhi në një klimë tensioni të krijuar nga dezinformata dhe përpjekje për të penguar investitorë privatë.

“Incidenti i pafat dhe i keq në Zvërnec nuk ndodhi gjatë një proteste normale për të drejtat e pronës. Ai ndodhi në një kontekst tensioni të shtuar të nxitur nga dezinformata të gjera, të shoqëruar nga përpjekje të përsëritura për të penguar aktivitetet e ligjshme të investitorëve privatë ndërkombëtarë me reputacion të lartë, të cilët operojnë në tokë private që e kanë fituar nga pronarë legjitimë që mbajnë tituj pronësie të vlefshëm, në përputhje të plotë me ligjin shqiptar”, shprehet Rama.

Në reagimin e tij, Rama thekson se dëmtimi i çdo personi është i keqardhur, pavarësisht etnisë, por shton se institucionet shqiptare reaguan menjëherë pas ngjarjes.

“Çdo dëmtim i çdo individi, shqiptar, grek apo jo, është i keqardhur. Rrethanat u sqaruan shpejt, duke çuar në arrestimin e personelit të sigurisë private përgjegjës, revokimin e licencës së operimit të kompanisë së tyre dhe shkarkimin e drejtorit të policisë së Vlorës. Çfarë më shumë do të prisje, Alexis, dhe çfarë masash shtesë do të kishe marrë si Kryeministër në këto rrethana?”, shkruan kryeministri.

Rama e quan të padrejtë dhe të papërgjegjshme që incidenti të paraqitet si provë e shkeljes së të drejtave të minoritetit, të drejtave pronësore apo sundimit të ligjit.

“Çështja është se nuk është as e drejtë dhe as e përgjegjshme të transformosh një incident të izoluar në provë të shkeljes së të drejtave të pakicave, të drejtave të pronës ose të sundimit të ligjit. Përkundrazi, të vepruarit kështu është e padrejtë, e papërgjegjshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane që të dy pretendojmë se ndajmë”, vijon Rama.

Kryeministri e lidh reagimin e partisë greke edhe me kontekstin politik të brendshëm në Greqi, duke paralajmëruar se fushatat zgjedhore nuk duhet të përdorin çështje të tilla për mobilizim nacionalist.

“Asnjë fushatë e ardhshme zgjedhore nuk mund ta justifikojë një sjellje të tillë, veçanërisht nga një parti e re që aspiron të përfaqësojë të majtën evropiane të shekullit të njëzet e një”, shkruan ai.

Në pjesën tjetër të reagimit, Rama thotë se Shqipëria është e angazhuar për mbrojtjen e shtetit të së drejtës, pronës dhe të drejtave të minoriteteve, por këmbëngul se faktet duhet të përcaktohen nga institucionet dhe gjykatat kompetente, jo nga deklarata politike jashtë vendit.

“Siç e kam theksuar në raste të mëparshme, përfshirë edhe kur iu përgjigja shqetësimeve tuaja në lidhje me rrugën evropiane të Shqipërisë në çështjet që përfshijnë grekët etnikë, pajtohem plotësisht se respekti për sundimin e ligjit është thelbësor. Pikërisht për këtë arsye, megjithatë, faktet duhet të përcaktohen nga institucionet dhe gjykatat kompetente, jo nga deklaratat politike të lëshuara nga një vend tjetër dhe të formësuara nga konsiderata politike të brendshme”, shkruan Rama.

Kryeministri e cilëson Minoritetin Kombëtar Grek në Shqipëri si “një thesar” dhe thotë se të drejtat e tij janë pjesë e legjislacionit dhe institucioneve shqiptare.

“Pakica Kombëtare Greke në Shqipëri është një thesar që e vlerësoj jashtëzakonisht shumë. Ai gëzon të drejta dhe mbrojtje që nuk janë as më shumë e as më pak se ato që gëzojnë të gjithë qytetarët shqiptarë dhe unë punoj çdo ditë për t’i forcuar ato, falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me qeverinë greke”, shkruan Rama.

Në mbyllje, Rama i uron sukses Tsipras në zgjedhjet e ardhshme, por i kërkon që partia e tij të mos bjerë në modele të vjetra të debatit publik.

“Duke ju uruar suksese në zgjedhjet e ardhshme, shpresoj sinqerisht që partia juaj e re do të tregojë se lëvizjet e reja politike nuk kanë nevojë të bien në të njëjtat modele të njohura të debatit publik, duke përfshirë tundimin për të mbledhur mbështetësit rreth flamurit përmes përfundimeve të nxituara rreth fqinjëve dhe institucioneve të tyre sovrane. Në fund të fundit, Evropa ka nevojë për më pak reflekse nga e kaluara dhe më shumë besim në fakte, institucione dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Gjithë të mirat miku im i vjetër”, përfundon Rama.

Reagimi i Ramës vjen pas një debati të gjerë publik për projektin në Zvërnec, dhunën ndaj protestuesit, rolin e rojeve private dhe qëndrimin pasiv të policisë në momentin e incidentit. Ngjarja ka marrë tashmë edhe dimension diplomatik, pas reagimeve nga Athina dhe nga forcat politike greke.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top