Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu është përgjigjur ditën e sotme për zjarrin në QSUT disa javë më parë. Në mbledhjen e Komisionit të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, Koçiu tha se shkak për zjarrin u bë një defekt teknik dhe nuk pati asnjë ndikim në spital. Po ashtu ajo theksoi se ngjarja është nën hetim nga Prokuroria e Tiranës dhe se në spital ofrohen të gjitha shërbimet, përveç urgjencës kardiake, e cila është zhvendosur.
“Dua të përgjigjem për disa akuza të pavërteta. QSUT është fytyra e vërtetë e transformimit të këtij spitali, siç është spitali i sëmundjeve të brendshme. Nuk është vetëm QSUT. Incidenti që jemi thirrur sot, tregoi se standardet dhe profesionalizmi është i njëjtë si në të gjithë vendit. Të gjitha spitalet janë të specializuar për të ofruar shërbimet. Deri pak vite më parë një gjë e tillë do të ishte e paimagjinueshme nesë do të ndodhte një incident i tillë. Ka arsye për t’u ndjerë mirë dhe krenar për stafin mjekësor. Sa i përket incidentin te urgjenca e sëmundjeve të brendshme, është një ngjarje që siç e dini mirë është nën hetim nga prokuroria e Tiranës. Nga të dhënat paraprake, mund të konfirmoj se bëhet fjalë për një defekt teknik, ku ka pasur një defekt, pa asnjë ndikim në spital. Aty ofrohet puna. I vetmi shërbim që është zhvendosur është urgjenca kardiake,” tha ajo.