Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë gjatë natës zonën e Kropishtit, në Selenicë, duke djegur rreth 27 hektarë tokë. Flakët përfshinë shkurre, pemë dhe ullishte, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Mes sipërfaqeve të prekura janë edhe ullinj shekullorë, si dhe pemë të reja.
Në terren u angazhuan zjarrfikësit e Vlorës dhe Selenicës, së bashku me banorët e zonës. Pas disa orësh ndërhyrje, zjarri u izolua rreth orës 04:30 të mëngjesit. Forcat në terren punuan gjatë gjithë natës për të ndalur përhapjen e flakëve. Ndërkohë, vijon vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga zjarri.