Zjarri në rajonin e Madridit ka arritur kulmin, deklaroi mbrëmjen e sotme kreu i shërbimeve të menaxhimit të emergjencave, Carlos Noviello. Duke folur para gazetarëve nga selia e komandës operative të zjarrfikësve, ai tha se situata mbetet kritike dhe se ekipet e emergjencës po vazhdojnë përpjekjet për të vënë flakët nën kontroll.
Zjarri deri më tani ka djegur 60,000 hektarë dhe 40,000 njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre ose u është thënë të qëndrojnë brenda dhe të mos përpiqen të largohen. Situata është shumë e komplikuar edhe për shkak të erërave të forta. Ai nuk e përjashtoi mundësinë e urdhërimit të më shumë evakuimeve.
Zjarri pyjor, më i madhi i këtij viti në Spanjë, ka qenë aktiv që nga e enjtja e kaluar në rajonin e Castile-La Mancha, një zonë e thatë dhe me pak banorë. Ndërkohë, qeveria ka njoftuar se Kryeministri Pedro Sanchez do të udhëtojë drejt Madridit nesër në mëngjes, i shoqëruar nga Ministri i Brendshëm Fernando Grande-Marlaska, për të parë nga afër situatën.
Situata më zjarret ka qenë jashtë kontrollit edhe në Francë, ku autoritetet urdhëruan një evakuim të plotë të gadishullit Cap Ferret, një destinacion i njohur turistik në perëndim të Bordeaux, me qindra njerëz që u evakuuan, përfshirë me anije nëpër Gjirin e Arcachon.
Zjarret, të cilat shpërthyen të martën, kanë shkatërruar tashmë rreth 10,000 hektarë tokë pyjore. Deri më tani, 53 shtëpi dhe një kamping janë djegur, ndërsa, sipas autoriteteve, falë përpjekjeve të zjarrfikësve, janë shpëtuar rreth 2,000 shtëpi.
Situata është përkeqësuar në orët e fundit, ndërsa zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të erërave të forta, duke i detyruar autoritetet të evakuojnë qytetin e Ares. Në të njëjtën kohë, një zjarr i dytë i madh në rajonin Land, pranë qytetit të Biscarrosse, detyroi më shumë se 23,000 njerëz të braktisnin shtëpitë, kampingjet, një azil pleqsh dhe një kamp veror.