Zjarri që ka vrarë të paktën 12 persona në Spanjën jugore ka djegur rreth 66,000 hektarë që nga e enjtja, por situata tani ka ndryshuar për mirë, tha të hënën kreu rajonal i shërbimeve të shpëtimit.
“Situata ndryshoi për mirë gjatë natës dhe kushtet e motit na lejojnë ta përballojmë ditën me perspektiva më të mira se dje. Kjo është dita e parë që do të jemi në gjendje të ndërhyjmë në mënyrë agresive në zjarr. Kushtet, si moti ashtu edhe ato që lidhen me realitetin e zjarrit, na kanë lejuar të veprojmë vetëm në mënyrë mbrojtëse deri më sot.”, tha Antonio Sant.Qindra zjarrfikës dhe personel ushtarak vazhduan të luftojnë flakët në tokë, të mbështetur nga mbështetja ajrore. Gati 1,500 persona janë evakuuar nga zona.
“Lajmi më i mirë që mund të kemi është se nuk ka raportime për viktima të reja. Xhandarmëria ka kontrolluar të gjitha zonat dhe na ka informuar se nuk ka gjetur asnjë person tjetër. Kjo nuk do të thotë se diçka e tillë nuk mund të ndodhë. Megjithatë, është logjikisht inkurajuese që pas punës që Xhandarmëria bëri duke kontrolluar, përveç zonave që ishin ende pika aktive, të paktën kjo na jep shpresë”, theksoi Santh.
Ministri i Brendshëm Fernando Grande-Marlasca foli gjithashtu me rezerva të veçanta në lidhje me numrin e personave të zhdukur.
“Duhet të jemi të kujdesshëm kur përmendim faktin se thuhet se ka 23 persona të zhdukur , pasi ky nuk është rasti. Po flasim për njerëz me të cilët familjet e tyre nuk kanë mundur të kontaktojnë, por që mund të jenë në një qendër pritjeje”, sqaroi ai.
Ka pasur 7 deklarata zyrtare të zhdukjes, shtoi ai gjithashtu, por në pritje të autopsisë dhe identifikimit të trupave të gjetur, autoritetet ende nuk mund të japin një llogari përfundimtare, dhe këta shtatë persona të shpallur të zhdukur mund të jenë midis 12 viktimave të bllokuara në flakë.