Zhvilloi punimet Kuvendi VII i Riorganizimit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë
DR. MUJË BUÇPAPAJ ZGJIDHET KRYETAR I LSHA-SË ME SHUMICË ABSOLUTE VOTASH
Tiranë, 19 maj 2026. Në mjediset e Hotel Tirana International, u zhvillua të martën Kuvendi VII i Riorganizimit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, një ngjarje me rëndësi të veçantë për jetën letrare, artistike dhe kulturore shqiptare, ku morën pjesë delegatë nga degët e LSHA-së, si dhe përfaqësues të shoqatave, klubeve letrare e kulturore nga mbarë vendi dhe trevat shqiptare në rajon.
Punimet e Kuvendit u zhvilluan në frymën e dialogut të hapur, përgjegjësisë institucionale dhe vizionit për forcimin e rolit të krijuesve shqiptarë në jetën publike e kulturore të vendit. Diskutimet u përqendruan në nevojën e modernizimit të veprimtarisë së LSHA-së, zgjerimit të bashkëpunimit kulturor ndërshqiptar dhe ndërkombëtar, si dhe në mbështetjen më të fuqishme të letërsisë dhe artit shqiptar në kohën e sfidave të reja kulturore e shoqërore.
Komisioni i Votimit, i zgjedhur nga Kuvendi, pas përfundimit të procesit të votimit të fshehtë dhe numërimit të votave për zgjedhjen e Kryetarit të LSHA-së, shpalli fitues me shumicë absolute votash dr. Mujë Buçpapaj, poet me njohje ndërkombëtare, studiues i letërsisë, pedagog universitar dhe botues i gazetës letrare dhe kulturore “Nacional”.
Figura e dr. Mujë Buçpapajt përfaqëson një nga zërat më të spikatur të kulturës bashkëkohore shqiptare. Ai ka drejtuar për disa vite Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës “Pjetër Arbnori”, më pas Zyrën Shqiptare për të Drejtat e Autorit, ndërsa aktualisht drejton Institutin e Studimeve Nacionale dhe boton gazeten letrare dhe kulturore, javoren Nacional. Përmes krijimtarisë, studimeve dhe veprimtarisë së tij publike, ai është shquar si një promovues i rëndësishëm i letërsisë shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe i vlerave kulturore europiane në hapësirën shqiptare si dhe i mbrojtjes se interesave te shkrimtareve dhe artisteve shqiptarë.
Kuvendi u përshëndet gjithashtu nga Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prof. dr. Shyqri Galica, si dhe nga përfaqësues të organizatave kulturore e letrare shqiptare nga rajoni, të cilët vlerësuan rolin historik të LSHA-së në mbrojtjen dhe zhvillimin e identitetit kulturor kombëtar.
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë u krijua në vitin 1945 dhe, pas viteve ’90, u transformua në një organizatë pluraliste letrare dhe artistike, duke vijuar të mbetet një nga institucionet më përfaqësuese të jetës kulturore shqiptare.
