Zhupa ngre alarmin: Liqeni i Ohrit rrezikon të futet në listën e pasurive në rrezik!

Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa ka reaguar pas diskutimeve në sesionin e 48-të të UNESCO-s për gjendjen e Liqenit të Ohrit.

Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa ngre alamrin se kërkesa për përfshirjen e Liqenit të Ohrit në listën e pasurive në rrezik është një goditje ndaj asaj që ajo e cilëson si propagandë të qeverisë për mbrojtjen e trashëgimisë.

Duke iu referuar deklaratave të drejtuesit të World Heritage Watch, Stephan Doempke, Zhupa theksoi se vlera universale të liqenit janë nën kërcënim nga ndërhyrjet dhe projektet zhvillimore.

Statusi i Ina Zhupës:
UNESCO rrëzon propagandën e qeverisë duke kërkuar futjen e liqenit të Ohrit në listën e pasurive në rrezik. Në sesionin e 48-të të UNESCO-s, drejtuesi i World Heritage Watch, Stephan Doempke, tha atë që qeveria shqiptare është përpjekur ta fshehë prej vitesh për liqenin: “Vlera e tij e jashtëzakonshme universale është në rrezik dhe ndikimet e grumbulluara vazhdojnë ta shtyjnë këtë sit unik të Trashëgimisë Botërore drejt dëmtimeve të pakthyeshme”. Kjo është akuza më e rëndë ndërkombëtare ndaj politikës së betonizimit që Edi Rama ka shtrirë mbi trashëgiminë kulturore dhe natyrore të Shqipërisë.

Qeveria nuk e sheh trashëgiminë si identitet kombëtar. E sheh si parcelë ndërtimi, si biznes dhe si mundësi për klientët e saj. Kjo është filozofia që solli Ligjin 21/2024, që po shkatërron zonat e mbrojtura, dhe e njëjta filozofi po zbatohet edhe në Liqenin e Ohrit. Projekti Drilon–Tushemisht, i zhvilluar nga AADF, nuk është model i mbrojtjes së trashëgimisë, por model i komercializimit të saj. Në vend të konservimit kemi beton, në vend të autenticitetit kemi projekte spektakli, në vend të ekspertizës së trashëgimisë kemi një qasje që e trajton këtë pasuri si mall tregtar.

Nuk është rastësi që në UNESCO u përmendën pikërisht Drilon–Tushemishti, ndërtimin pesëkatësh në Tushemisht dhe projektin e marinës me ndërtime deri në 27 kate në Pogradec si kërcënime serioze për vlerat universale të Liqenit të Ohrit. Kam denoncuar prej kohësh se kjo qeveri nuk ka as vizion dhe as respekt për trashëgiminë. Nuk mund të flasësh për zhvillim, ndërsa shkatërron pasuritë që i përkasin gjithë njerëzimit. Nuk mund të mburresh me turizmin ndërsa betonizon pasuritë e veçanta që bëjne që turistët të zgjedhin të vijnë në Shqipëri.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top