Ylli i Kosovës, Edon Zhegrova, është paraqitur sot për herë të parë në një konferencë për shtyp që nga transferimi i tij te Juventus.
Sulmuesi anësor foli për emocionet e para në fanellën bardhezi, sfidat që e presin dhe synimet e tij me gjigantin italian.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe për mikpritjen që kam marrë. Juventus më ka bindur menjëherë, kam ëndërruar gjithmonë të luaj për një klub të madh si ky”, tha Zhegrova para gazetarëve.
Ai tregoi se bisedat e para me drejtuesit e klubit ishin vendimtare në marrjen e vendimit për transferim:
“Sapo kam folur me drejtuesit e Juventusit e kuptova që kishte interes serioz dhe se ëndrra ime mund të bëhej realitet.”
Zhegrova, i njohur edhe me pseudonimin “Luani”, tha se ky epitet i shkon për shtat dhe e përfaqëson plotësisht karakterin e tij në fushën e lojës.
Ai shtoi se tashmë ka filluar të stërvitet me grupin dhe se ka zhvilluar edhe biseda me trajnerin Igor Tudor për rolin e tij në skuadër.
“Kam kaluar një periudhë të vështirë për shkak të një lëndimi, por tani jam mirë dhe po punoj fort me stafin. Synimi im është të rikuperohem sa më shpejt dhe të jap maksimumin për skuadrën”, theksoi ai, shkruan Klankosova.tv
Ai komentoi edhe atmosferën brenda klubit, duke u shprehur:
“Kjo është një skuadër e re që dëshiron të fitojë çdo ndeshje. Kur kam luajtur kundër Juventusit, ka qenë një rast për të treguar vlerat e mia, ndërsa tani jam pjesë e saj. Po marr mbështetje nga të gjithë për t’u integruar sa më shpejt.”
Një tjetër detaj interesant ishte edhe roli i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në procesin e pajisjes së Zhegrovës me pasaportë shqiptare.
“Kryeministri i Shqipërisë është tifoz i madh i Juventusit dhe dëshironte të ma jepte pasaportën shqiptare. Më ka ndihmuar shumë dhe si mirënjohje do t’i dhuroj fanellën time të parë,” zbuloi futbollisti.
Zhegrova gjithashtu konfirmoi se nuk do të jetë pjesë e ndeshjes ndaj Interit për shkak të gjendjes fizike, por premtoi se do të mbështesë skuadrën nga jashtë.