Zgjedhjet/ Shehaj: Rama mundet vetëm me një kandidat jo politik që bashkon opozitën

Pas mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, ku  Edi Rama shpalli zgjedhje për Bashkinë e Tiranës, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj reagoi duke thënë që është e qartë se  Rama i tregoi opozitën se ka pushtet absolut. 

Shehaj thekson se përballë avantazhit të dukshëm elektoral të socialistëve, e vetmja mënyrë për të sfiduar seriozisht PS-në në Tiranë është përzgjedhja e një kandidati jo politik, të papërfolur dhe të papërlyer, që gëzon respekt të gjerë shoqëror dhe bashkon gjithë forcat opozitare. 

Shehaj shpjegon rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Tiranë me shifra. 

“Sot ne kemi Partinë Socialiste që në zgjedhjet e fundit në Bashkinë e Tiranës ka marrë rreth 49% të votave. Ka pothuajse shumicën. 

Partia Demokratike në opozitë ka rreth 32% të votave. Pas PD-së jemi ne, Mundësia me rreth 6% të votave. Dhe pastaj me radhë 3%, 3%, e kështu me radhë. 

Tani, nëse PD vendos të kandidojë një anëtar të PD-së, një përfaqësues të PD-së, diferenca dhe shanset që PD-ja të fitojë janë 49% me 32%. 

Është pothuajse e pamundur! E vetmja mundësi që ka opozita është që e gjithë opozita të gjejë një emër që i bashkon. Një emër të jashtëm. 

Jo një anëtar të PD-së. Jo një anëtar të Partisë Mundësia apo të partive të tjera. 

Por një emër që gëzon respektin e shoqërisë, që është i papërfolur, që është i papërlyer, që ka treguar në jetë që ka bërë diçka. 

Dhe vetëm me një kandidat të tillë, me një kandidat të shkëlqyer, ne mund të fitojmë kundër Partisë Socialiste.” – u shpreh Shehaj.

Megjithatë kreu i Partisë Mundësia shprehet se kjo është një sfidë e madhe. 

“Do të duhet shumë punë, por të paktën kemi sado pak shanse për të fituar. 

Dhe nëse arrijmë të mposhtim Edi Ramën në zgjedhjet e ardhshme në Tiranë, ky është fillimi. Është ndryshimi i madh për të sjellë dhe rotacionin politik në Shqipëri. 

Kjo është e vetmja mundësi që kemi” – propozoi Agron Shehaj.

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top