Zgjedhjet në veri, frikë për tensione dhe pjesëmarrje të ulët të qytetarëve

Mbajta e zgjedhjeve në katër komunat veriore më 23 prill ka ngjallur frikë për krijimin e tensioneve të reja, përkundër gatishmërisë së institucioneve të Kosovës për të ofruar një proces zgjedhor të qetë dhe pa incidente. Mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje po konsiderohet si mundësi që strukturat paralele në veri të pengojnë procesin zgjedhor dhe t’iu bëjnë trysni qytetarëve që mos të dalin në zgjedhje.
Pavarësisht mundësive për kontestim të legjitimitetit të procesit zgjedhor në veri, pushteti dhe opozita e shohin të domosdoshme mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, sidomos pas përkrahjes së shteteve të QUNIT-it. Mirëpo, monitoruesit e proceseve zgjedhore, ngrehin shqetësime se mund të ketë pengesa të organizimit të zgjedhjeve ne qendrat e votimit nga zyrtarët serbë lokalë atje. Në anën tjetër, nga Komisioni Qendror Zgjedhor, nuk kanë treguar nëse ka pengesa teknike për organizimin e zgjedhjeve në veri dhe se kur do të dalin ekipet e tyre në teren për përgatitjen të qendrave të votimit.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë për KosovaPress se të gjitha institucionet relevante në Kosovë janë të gatshme për organizimin e zgjedhjeve në veri.

Sipas saj, mbështetja e vendeve të QUNIT-it për procesin zgjedhor të 23 prillit në veri edhe pa pjesëmarrjen e Listës Serbe është dëshmi për nevojën e organizimit të tyre.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, deklaron se zgjedhjet në veri duhet të mbahen më 23 prill, por shton se mund të ketë tensione të reja atje.

Në anën tjetër, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje do të dëmtojë procesin zgjedhor në disa drejtime.
Ai përmend se impakti i Listës Serbe do të bëjë që në zgjedhje të ketë pjesëmarrje të ulët të qytetarëve, derisa shton se mund të ketë tentime për të penguar procesin zgjedhor, por jo në shkallën sikur dhjetorin e vitit të kaluar.

Mirëpo, mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet e 23 prillit në veri, sipas deputetes nga mazhoranca, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ofron mundësinë e krijimit të një pluralizimi në mesin e partive politike që përfaqësojnë serbët në Kosovë.

Ajo thotë se është e domosdoshme që të ketë njerëz të rinj nga komuniteti serb në pozita institucionale që mund të punojnë për qytetarët e këtij komuniteti që jetojnë në Kosovë.
Ditë më parë, Lista Serbe, që ka udhëhequr me katër komunat veriore ka treguar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, sipas tyre deri formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në zgjedhjet e 23 prillit, për kryetarë të katër komunave në veri do të garojnë 11 kandidatë, ku vetëm dy prej tyre janë nga komuniteti serb.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të mbahen në veri pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Kryetarët e këtyre komunave dhanë dorëheqje në nëntor të vitit 2022 për shkak të vendimit qeveritar për targat ilegale serbe.

Zgjedhjet në veri fillimisht ishin caktuar me datë 18 dhjetor të vitit 2022, mirëpo ato u shtyn pas incidenteve dhe pamundësisë për organizimin e tyre./Kosovapress

 

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top