Fitoret e thella të dy garave të para në primaret republikane të vitit 2024 e nxorri Donald Trump në një pozicion të fortë për të kapur nominimin për President të partisë republikane. Këto rezultate e bëjnë një rindeshje me Joe Biden edhe më të pashmangshme.
Rivalja republikane e Trump, Nikki Haley, u zotua të luftojë pavarësisht nga vendi i saj i dytë në New Hampshire, një shtet ku ajo kishte shpresuar për një tronditje në favor të saj, dhe vendin e saj të tretë në zgjedhjet e Iowa-s. Por ajo përballet me vështirësi të mëdha. Nuk ka asnjë precedent që një kandidat të fitojë primaret e Iowa-s dhe ato në New Hampshire dhe të humbasë nominimin e partisë.
Në fjalimin e tij të natës së fitores, Trump parashikoi se do ishte më i vrazhdë gjatë fushatës në vijim nëse Haley nuk pranon thirrjet e tij që ajo të braktisë garën. Në fjalët e tij, të cilat ishin më shumë të zemëruara sesa festive, Trump sugjeroi se Haley do ta gjente veten nën hetim nëse do të bëhej ajo kandidatja republikane për presidente, por më pas deklaroi se Haley nuk kishte asnjë shans për ta rrëzuar atë nga froni.
“Ky nuk është fjalimi tipik i fitores,” tha ai, i rrethuar nga të gjithë rivalët e tij republikanë të mposhtur. “Por, le të mos lejojmë që dikush (Hayley) të fitojë kur ajo kishte një natë shumë të keqe.”
Kampi i Haley-it e hodhi poshtë fjalimin e Trump si një “arritje të furishme dhe rrëqethëse” dhe ngriti pyetjen: “Nëse Trump është në formë kaq të mirë, pse është kaq i zemëruar?”
“Kjo është arsyeja pse kaq shumë votues duan të largohen nga kaosi i Trump dhe po mblidhen në gjeneratën e re të udhëheqjes konservatore të Nikki Haley,” tha fushata e saj.
Haley ishte më e hirshme në fjalimin e saj. Ajo e pranoi Trumpin si fitues dhe e uroi për fitoren e tij. Por ajo tha se nuk do të largohej nga një garë që sapo kishte filluar. “New Hampshire është i pari në vend,” u tha ajo mbështetësve në Concord, kryeqyteti i shtetit. “Nuk është i fundit në vend. Kjo garë është larg përfundimit.”
Haley këmbënguli që ajo të mund të kthente vendin e saj të dytë në New Hampshire në një fitore në shtetin e saj të Karolinës së Jugut, ku ka qenë dy herë guvernatore. Por sondazhet tregojnë se Trump kryeson Haley-n me afërsisht 30 pikë në Karolinën e Jugut, e cila mban zgjedhjet e saj paraprake republikane më 24 shkurt.
Humbja e Haley-t nënvizoi forcën e Trumpit mes votuesve republikanë, të cilët i përtypën pretendimet e tij të rreme për zgjedhje të vjedhura (në vitin 2020) dhe një rrjet problemesh me drejtësinë që arrijnë në 91 akuza penale.
Haley ka thënë se “kaosi e ndjek” Trump dhe argumentoi se republikanët do të humbnin sërish presidencën nëse ai do të ishte kandidati i tyre. “Një emërim i Trump është një fitore e Bidenit dhe një presidencë e Kamala Harris,” tha ajo, duke sugjeruar se presidenti 81-vjeçar nuk do të ishte në gjendje të përfundonte një mandat të dytë.
Nga ana tjetër, mes demokratëve në New Hampshire ishte Biden fituesi.
“Tani është e qartë se Donald Trump do të jetë kandidati republikan. Dhe mesazhi im për vendin është se rreziku është i madh”, tha Biden në një deklaratë të martën. “Demokracia jonë. Liritë tona personale, nga e drejta për të zgjedhur deri te e drejta për të votuar. Ekonomia jonë, e cila ka parë rimëkëmbjen më të fortë në botë që nga COVID. Të gjitha janë në rrezik.”
The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL