Edhe pse e ka quajtur 11 majin një farsë elektorale dhe ka denoncuar dhjetëra raste të manipulimit të votës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vendosi të mos e çojë partinë drejt bojkotit. Në mbledhjen e kryesisë, ai e mbylli vetë çdo diskutim, duke shpallur se deputetët e opozitës do të ulen në sallën e Kuvendit. “Në këtë diktaturë, ne nuk duhet të lëmë asnjë hapësirë bosh”, tha Berisha, duke dhënë mesazhin se parlamenti është e vetmja skenë ku opozita mund të bëjë betejën e saj.
Sipas tij, ndryshimi mes kësaj “diktature” dhe asaj të Hoxhës është se, ndërsa e para dërgonte kundërshtarët drejt pushkatimit apo kampeve të përqendrimit, e dyta ende të lë një podium nga ku mund të flasësh. “Në këtë diktaturë duhet të falënderosh Zotin që të jep mundësi ta luftosh atë”, u shpreh Berisha, duke kujtuar rastin e Ervin Salianjit, i cili përfundoi në burg, por që sipas tij mbetet provë se edhe në këtë sistem ekzistojnë disa çarje për të bërë opozitë.
“Në këtë diktaturë e pëson si Salianji, por përsëri nuk mund ta mohojmë se mundësitë për ta luftuar janë dhe kërkon një angazhim dhe përkushtim shumë më të madh nga secili prej nesh” u shpreh Berisha
Në këtë linjë, hapat e parë të opozitës janë përcaktuar: ngritja e dy komisioneve hetimore parlamentare. I pari për çështjen “McGonigal”, dosja që lidhi emrin e një ish-zyrtari të FBI-së me kryeministrin Edi Rama, dhe i dyti për zgjedhjet e 11 majit. “Prapë me komisione hetimore. T’i nxjerrim kriminelët elektoralë para shqiptarëve, ashtu siç nxorëm kriminelët e djegësave”, u shpreh Berisha, duke evokuar punën e Jorida Tabakut mbi inceneratorët, e vetmja nismë parlamentare e opozitës në legjislaturën e kaluar që pati një jehonë të gjerë mediatike.
Por kërkesa për një komision hetimor për McGonigal nuk është e re. Opozita e ka ngritur pa sukses edhe dy vite më parë, menjëherë pas arrestimit të Charles McGonigal në SHBA. Rama atëherë nuk i la asnjë hapësirë miratimit të këtij komisioni parlamentar. “Nuk ka shans të pranohet komisioni hetimor se ka një cak”, u shpreh kryeministri asokohe, duke i akuzuar demokratët se donin të përdornin parlamentin si hapësirë propagande. Sot, Rama nuk ka më 74 deputetë, por 83 syresh. Diferenca e numrave do ta bëjë akoma më arrogant në sallën e kuvendit, ndësa deputetët e opozitës janë më të pakët.
Në kuvend do të shkojnë edhe deputetët e Partisë së Lirisë, pavarësisht se kryetari i tyre Ilir Meta gjendet në qelitë e paraburgimit prej gati 1 viti tashmë. Sekretari i PL, Tedi Blushi u duk në koordinim me PD pak ditë më parë kur u shpreh se: “Me nisjen e sesionit parlamentar të miratohet me urgjencë ngritja e një Komisioni Hetimor Parlamentar për çështjen McGonigal.”
Komisionet hetimore që ka varrosur Partia Socialiste
Në anën tjetër, partitë e vogla me përfaqësim në Kuvend, “Mundësia”, “Lëvizja Bashkë” dhe “Shqipëria Bëhet” nuk e kanë vënë kurrë në diskutim pjesëmarrjen në sallën e parlamentit. Për ta, prania në parlament ishte edhe qëllimi i parë që i garantoi mbijetesën politike, ndaj në diskursin e tyre kjo dilemë për të bojkotuar apo jo kuvendin nuk ka ekzistuar.
Dhe në këtë panoramë, pyetja e vetme që mbetet hapur për parlamentin e ri nuk lidhet me opozitën, por me shumicën: Kush do t’i drejtojë seancat parlamentare? Në këtë pikë kushdo që do ta luajë këtë rol do ta ketë më të lehtë, jo vetëm nga numrat e shtuar të socialistëve, por edhe nga dëshira e opozitarëve për të qenë sa më parë në sallën e kuvendit.