Ka nisur procesi i numërimit të votave në të pesta bashkitë, në të cilat u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme dhe socialistët nuk kanë asgjë për tu frikësuar.
Në Tepelenë, sipas të dhënave të raportuara deri më tani nga KQZ, kryeson kandidati socialist Gramoz Sako me 111 vota, ndërsa kandidati i pavarur Gabriel Guma ka marrë vetëm 26 vota.
Në Berat, ku janë numëruar 7 kuti, kryeson bindshëm socialisti Ervin Ceca me 748 vota deri më tani, ndërsa Pavlo Shkarpa, i pavarur dhe që mbështetet nga PD, ka 142 vota.
Edhe në Cërrik, kryeson kandidati socialist Florenc Doka me 184 vota, ndjekur nga kandidati i pavarur Amarildo Hoxha me 31 vota. Ndërsa kandidati i Shqipëria Bëhet ka marrë 16 vota.
Në Vlorë, bashkia që shënoi edhe pjesëmarrjen më të ulët, kryeson socialistja Brunilda Mersini me 713 vota. Dionis Sota, i pavarur që mbështet PD, ka 92 vota ndërsa Gjergji Nika, gjithashtu i pavarur, ka 85 vota.
Në Mat ka nisur gjithashtu numërimi por ende nuk janë përditësuar të dhënat e para.
Në total, vetëm 18.45% nga 334.539 mijë qytetarë me të drejtë vote hodhën votën në kutitë e votimit në të 5-ta bashkitë. Bashkia me numrin më të lartë të pjesëmarrjes ishte Mati me 39.36%, e ndjekur nga Tepelena me 34.63%, Cërriku me 25%, dhe Berati me 19.98%. Pjesëmarrjen më të ulët e shënoi Vlora, bashkia më e madhe në zgjedhjet e kësaj të diele, ku votuan vetëm 12.54 përqind.