Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka paraqitur presidentit amerikan Donald Trump një propozim për ndalimin e sulmeve ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës, me kusht që Shtetet e Bashkuara të furnizojnë menjëherë Kievin me raketa interceptuese për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot.
Në një intervistë për rrjetin televiziv amerikan Fox News,Zelensky bëri të ditur se kjo çështje është diskutuar disa herë me Trumpin dhe zyrtarë të administratës amerikane. Ai theksoi se Ukraina nuk mund të qëndrojë duarkryq ndërsa Rusia vazhdon të godasë infrastrukturën energjetike dhe të shkaktojë viktima në mesin e civilëve.
“Ne u thamë atyre se nuk mund të mos përgjigjemi kur Rusia sulmon sektorin tonë të energjisë, kur vret qytetarët tanë, kur godet termocentralet tona, gazin dhe rafineritë tona”, deklaroi presidenti ukrainas.
Sipas Zelenskyt, Kievi i ka ofruar Uashingtonit dy alternativa për të arritur një ndalim të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.
“Nëse doni që ne të ndalojmë së sulmuari rafineritë ruse, atëherë Rusia nuk duhet të sulmojë sistemin tonë të energjisë. Ekziston një mundësi tjetër: Na jepni raketat Patriot. Ne do t’i gjejmë paratë, nuk po kërkojmë vetëm ndihmë. Ne do t’i paguajmë ato”, u shpreh ai.
Zelensky sqaroi se nëse Shtetet e Bashkuara i sigurojnë Ukrainës një sasi të mjaftueshme raketash interceptuese Patriot për një muaj, ushtria ukrainase do të ndërpresë sulmet ndaj rafinerive ruse për të njëjtën periudhë. I pyetur nëse druhej se ky propozim mund të interpretohej si përpjekje për të ushtruar presion ndaj presidentit amerikan, ai u përgjigj: “Nuk kam shqetësime kur u them të vërtetën partnerëve tanë”.
Propozimi vjen në një moment kur Trump po ushtron presion ndaj Moskës dhe Kievit për të ndalur sulmet ndaj objekteve energjetike, ndërsa rritja e çmimeve ndërkombëtare të naftës dhe karburanteve, e ndikuar pjesërisht nga lufta në Lindjen e Mesme, po shton shqetësimet për inflacionin në Shtetet e Bashkuara.
Të premten, Departamenti Amerikan i Shtetit miratoi shitjen e mundshme të 500 raketave interceptuese Patriot PAC-3 për Ukrainën, me një vlerë të përgjithshme të përllogaritur prej 2.1 miliardë dollarësh. Marrëveshja pritet të financohet nga aleatët e Kievit, mes tyre Kanadaja, Gjermania dhe Norvegjia, si dhe nga institucione financiare evropiane.
Megjithatë, miratimi i shitjes nuk nënkupton se raketat do të mbërrijnë menjëherë në Ukrainë. Vetë Zelensky ka paralajmëruar se procesi i dorëzimit mund të zgjasë disa vite, në një kohë kur rezervat e mbrojtjes ajrore të vendit janë pakësuar ndjeshëm. Përballë sulmeve të vazhdueshme ruse me raketa balistike, Kievi po kërkon që SHBA-ja dhe aleatët evropianë të vënë menjëherë në dispozicion raketa nga rezervat e tyre ekzistuese, me mundësinë që ato të zëvendësohen më vonë përmes marrëveshjes së re.
Sistemet Patriot konsiderohen ndër mjetet më të rëndësishme të mbrojtjes ajrore të Ukrainës, veçanërisht për interceptimin e raketave balistike ruse që godasin infrastrukturën energjetike dhe zonat e banuara. Ndërkohë, sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase vijojnë me intensitet të lartë, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha të furnizimit me energji elektrike.
Sipas Zelenskyt, gjatë natës mes së shtunës dhe së dielës, objektet energjetike në katër rajone të Ukrainës u goditën nga sulmet ruse, duke lënë qindra mijëra familje pa energji elektrike. Në kryeqytetin Kiev, ndërprerjet e energjisë zgjatën nga tetë deri në dhjetë orë.
Ndërsa në rajonin e Dnipropetrovskut, më shumë se 60 mijë konsumatorë mbetën pa energji elektrike të dielën në mbrëmje, pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve për të riparuar dëmet. Situata ishte tragjike edhe në rajonin e Vinnytsias, ku një sulm i ri rus shkaktoi viktima civile, mes tyre edhe një vajzë 13-vjeçare.
“Intensiteti i sulmeve është jashtëzakonisht i lartë dhe rusët po përpiqen të përfitojnë plotësisht nga mungesa e raketave për të kapur kërcënimet balistike”, paralajmëroi Zelensky.
Nga ana tjetër, edhe forcat ukrainase vijuan operacionet kundër objektivave ushtarake dhe industriale në territorin rus. Presidenti ukrainas njoftoi se një objekt i industrisë ruse të mbrojtjes në rajonin e Rostovit, ku prodhohet karburant për raketat, u godit nga forcat ukrainase. Sulmi shkaktoi zjarr dhe dëme në katër njësi prodhimi. Zelensky bëri gjithashtu të ditur se gjatë operacionit u shkatërrua edhe një sistem rus i mbrojtjes kundërajrore Pantsir.
Në një zhvillim tjetër, të dielën përfundoi armëpushimi i kufizuar humanitar në rajonin e Khersonit, i cili ishte dakordësuar për të mundësuar evakuimin e civilëve nga qyteti i pushtuar nga Rusia, Oleski. Armëpushimi zgjati gjashtë ditë dhe u ndërmjetësua nga Melania Trump, me ndjekjen e Papa Leo XIV. Ai konsiderohet një nga ndërprerjet më të rëndësishme lokale të luftimeve që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Gjatë kësaj periudhe, qindra banorë arritën të largoheshin nga qyteti, ku kushtet e jetesës ishin përkeqësuar ndjeshëm për shkak të mungesës së ushqimit, ujit të pijshëm, energjisë elektrike dhe shërbimeve mjekësore. Operacionet e evakuimit u zhvilluan përmes zonave nën kontrollin rus. Disa prej civilëve u transportuan fillimisht përmes territorit rus dhe Bjellorusisë, përpara se të ktheheshin në Ukrainë.
Ndërkohë, ushtria ukrainase njoftoi se kishte arritur të evakuonte 167 civilë të tjerë nga zonat e rrezikuara të rajonit të Khersonit. Armëpushimi përfundoi pa një marrëveshje për zgjatjen e tij. Megjithatë, të dyja palët pranuan se ndërprerja e përkohshme e luftimeve kishte mundësuar realizimin e operacionit humanitar dhe largimin e sigurt të banorëve.
Zhvillimet e reja në frontin ukrainas vijnë në një kohë kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës mbeten të pasigurta. Bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, ishin pezulluar që prej shpërthimit të luftës në Lindjen e Mesme, më 28 shkurt. Megjithatë, negociatat pritet të rifillojnë gjatë muajit nëntor, në një përpjekje për të gjetur një rrugë drejt uljes së tensioneve dhe ndalimit të konfliktit.