Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përsëriti thirrjen e tij drejtuar aleatëve për të forcuar vendin me më shumë sisteme mbrojtëse ajrore, një ditë pas sulmeve vdekjeprurëse ruse në Kiev që vranë shtatë persona.
“Ukraina ka nevojë për mbështetje për të shpëtuar jetë: më shumë sisteme mbrojtëse ajrore, aftësi të përmirësuara mbrojtëse dhe vendosmëri më të madhe nga partnerët tanë”,tha Zelenskyy në një postim në platformat e mediave sociale.
Mediat e huaja shkruajnë se apeli erdhi ndërsa autoritetet ukrainase rritën në shtatë numrin e të vdekurve nga sulmet ruse me raketa dhe dronë në lagjet e Kievit, pasi një grua e moshuar që ishte shtruar në spital me lëndime vdiq. Volodymyr Zelensky tha se një nga viktimat ishte Natalia Khodemchuk, gruaja e një tekniku në termocentralin bërthamor të Çernobilit, i cili vdiq në katastrofën e vitit 1986. “Pothuajse 40 vjet më vonë, Natalia u vra në një tragjedi të re, të shkaktuar edhe një herë nga Kremlini”, tha ai.
Forcat e armatosura ukrainase thanë se kishin goditur një rafineri ruse nafte në rajonin e Ryazanit, pranë Moskës, si pjesë e përpjekjeve për të kufizuar aftësinë e armikut për të nisur sulme me raketa dhe bomba kundër Ukrainës. Guvernatori rajonal, Pavel Malkov, tha se mbrojtja ajrore ruse rrëzoi 25 dronë ukrainas në Ryazan gjatë natës. “Mbetje shkaktuan një zjarr në ambientet e kompanisë”, pa shkaktuar asnjë të lënduar, tha ai në një postim në platformën Telegram.
Ndërkohë, autoritetet ukrainase thanë se katër persona u vranë në sulmet ruse në jug të vendit të shtunën. Zyra e prokurorit në rajonin e Khersonit tha se “tre persona u vranë” në qytetin me të njëjtin emër dhe në fshatin Miklitsky. Guvernatori i Zaporizhias, Ivan Fedorov, raportoi se një person humbi jetën për shkak të një sulmi rus në rajon.