Presidenti Donald Trump ka vendosur të pezullojë ndihmën ushtarake për Ukrainën, duke përdorur këtë masë si mjet presioni për ta detyruar presidentin Vladimir Zelenski të ulet në bisedime paqeje me Rusinë. Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, pezullimi synon të sigurojë që ndihma amerikane të kontribuojë në një “zgjidhje” të konfliktit.
“Ne po e ndalojmë dhe shqyrtojmë ndihmën tonë, për t’u siguruar se ajo i kontribuon zgjidhjes”, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, duke folur në kushte anonimiteti.
“Presidenti ka qenë i qartë se është i përqendruar në paqe. Ne kemi nevojë që partnerët tanë të përkushtohen ndaj këtij qëllimi”, tha zyrtari.
“Kjo nuk është ndalesë e përhershme e ndihmës – është pauzë”, citoi Fox News një zyrtar të administratës Trump.
Ky vendim vjen pas përplasjes mes Trump dhe Zelenski në Zyrën Ovale, ku Trump, bashkë me zv.presidentin JD Vance, e kritikuan liderin ukrainas për mungesën e mirënjohjes dhe i kujtuan atij se pa ndihmën amerikane, Ukraina nuk i kishte “kartat për të fituar” kundër Rusisë.
“Ai duhet të jetë më mirënjohës, sepse ky vend ka qenë me ta në të mirë dhe në të keq,” deklaroi Trump, duke lënë të kuptohet se Zelenski duhet të ulë tonet nëse dëshiron ndihmë të mëtejshme.
Në sfondin e kësaj tensioni, Trump ka lënë hapur një mundësi për një marrëveshje ekonomike për ndarjen e fitimeve nga mineralet e rralla të Ukrainës, duke përdorur një qasje “karrotë dhe shkop” për ta detyruar Kievin në negociata. Ndërkohë, njerëz të afërt me administratën e tij sugjerojnë se përpara çdo marrëveshjeje, Zelenskyy duhet të shprehë “pendesë” për përplasjen e fundit me Trump dhe të pranojë kushtet e vendosura nga Shtëpia e Bardhë.
“Ajo që duhet të dëgjojmë nga Presidenti Zelenski është se ai ka pendesë për atë që ndodhi, se është gati të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet dhe se është i gatshëm të angazhohet në bisedime paqeje,” deklaroi këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz.
Ndërkohë, Rusia e ka përshëndetur qasjen e Trump-it, duke e cilësuar atë si një hap drejt “real-politikës”. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha se qëndrimi i Trump-it për luftën “përputhet në masë të madhe me vizionin tonë.” Ai shtoi se: “Regjimi i Kievit dhe Zelenski nuk duan paqe.”
Nga ana tjetër, Europa ka reaguar me shqetësim. Presidenti francez Emanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer po shqyrtojnë mundësinë e një vizite të dytë në Uashington si një tentativë për të shpëtuar marrëveshjen e mineraleve dhe për të promovuar një plan paqeje europian. “Europa ka shumë pak kohë për të vepruar dhe për të parandaluar një afrimitet mes Uashingtonit dhe Moskës,” tha presidenti i grupit Eurasia, Ian Bremmer.
Ndërsa republikanët pro-ukrainas në Kongres po përpiqen ende të mbajnë gjallë marrëdhënien me Ukrainën, krahu radikal i Trump-it po kërkon një shkëputje të plotë nga Ukraina dhe NATO.
Miliarderi Elon Musk i hodhi më shumë benzinë zjarrit duke postuar në X: “SHBA duhet të tërhiqet nga NATO. Pse po financojmë sigurinë e Europës kur ata vetë nuk e marrin seriozisht?”
Përfaqësuesja republikane Ana Paulina Luna e mbështeti këtë ide, duke thënë se “është koha të fokusohemi tek Amerika dhe të ndalojmë së financuari luftëra të pafundme.”
Pavarësisht këtyre përplasjeve, Trump e ka lënë një derë hapur për bisedime. Por kushtet e tij duket sikur synojnë më shumë nënshtrimin total të Zelenskit, se sa një zgjidhje të drejtë të konfliktit. “Ne do të bëjmë marrëveshje me të gjithë,” deklaroi Trump, duke e bërë të qartë se Ukraina nuk është më prioriteti i tij kryesor.