Supermodelet e njohura Gigi dhe Bella Hadid sapo konfirmuan botërisht se kanë një motër, 23-vjeçaren Aydan Nix.
Në një deklaratë të përbashkët të enjten, Gigi, 30 vjeç, dhe Bella, 28 vjeç, zbuluan se Aydan është rezultat i një “romance të shkurtër” të babait të tyre, Mohamed Hadid, me një grua të quajtur Terri Hatfield Dull.
Ata gjithashtu sqaruan se marrëdhënia mes Mohamed dhe Terri ndodhi pas divorcit të tij nga nëna e modeleve, Yolanda Hadid, në vitin 2001.
“Aydan është rritur në Florida, duke e njohur si baba një tjetër burrë, i cili vdiq papritur kur ajo ishte 19 vjeçe,” thanë Gigi dhe Bella në deklaratën e tyre për Daily Mail.
Ajo nuk e dinte që Mohamed Hadid ishte babai i saj deri së fundmi, kur vendosi të bënte një test gjenetik nga kureshtja, duke zbuluar kështu lidhjen e saj biologjike me modelet.
Gigi dhe Bella treguan se janë njohur me Aydan që nga fundi i vitit 2023, ndërsa ajo studionte jashtë në Paris.
Që atëherë, Aydan ka kaluar kohë me gjithë familjen, përfshirë edhe Mohamedin.
“E kemi përqafuar këtë lajm të papritur dhe të bukur në familjen tonë,” thanë motrat Hadid, duke kërkuar respektimin e privatësisë së Aydan.
Aydan sapo ka përfunduar studimet në Parsons School of Design në Manhattan dhe jeton në New York, me ëndrra për t’u bërë dizajnere, stiliste dhe influencere.
Gazeta Daily Mail shkruan se marrëdhënia e Mohamed Hadid me Terri ka përfunduar para se ajo të merrte vesh për shtatzëninë, dhe se Mohamed gjithmonë ka qenë në dijeni për Aydan, por nuk i ka dhënë asnjë mbështetje financiare.
Një burim i familjes tha se marrëdhëniet mes Mohamed dhe Aydan janë “korrekte dhe respektuese,” por diskrete. Po ashtu thuhet se Mohamed kishte planifikuar të merrte pjesë në diplomimin e Aydan në maj, por e anuloi atë rreth një javë përpara.
Gigi dhe Bella, të cilat kanë edhe një vëlla, Anwar Hadid, 25 vjeç, nga martesa e prindërve të tyre, janë fotografuar disa herë me Aydan, por lidhja mes tyre nuk ishte bërë publike deri tani.
Përveç fëmijëve me Yolanda-n, Mohamed është baba edhe i Marielle dhe Alana, vajzave që i ka nga martesa e tij e parë me Mary Butler.