Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka shpallur listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e muajit shtator, miqësoren ndaj Gjibraltarit dhe sfidën kualifikuese të Kupës së Botës kundër Letonisë. Dëmtimi i Alen Sherrit nuk ka bërë asnjë diferencë, me brazilianin që lë jashtë përsëri portierin e Haecken Etrit Berisha. I vetmi lojtar i kampionatit shqiptar është Dajsinani, me portierin e Egnatias të thirrur për të zëvendësuar shkodranin e Sassuolos.
Pjesa tjetër janë zgjedhjet e zakonshme të teknikut kuqezi Sylvinho që ka thirrur 25 futbollistë, duke përfshirë edhe Ardian Bajramin. Në sulm ka vend për Brojën, pavarësisht se sulmuesi ka luajtur vetëm një ndeshje në Kupë me Burnley. Shkodrani duket i rikuperuar dhe Sylvinho shpreson shumë që të mund të përballojë 90 minuta me Letoninë.
Transfertat e verës për Asllanin, Manajn, Kumbullën e Asanin nuk kanë ndikuar në preferencat e teknikut brazilian, që i ka thirrur lojtarët e tij për miqësoren me Gjibraltarin e më pas kualifikuesen me Letoninë.
Lista e plotë e teknikut Sylvinho
Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Mario Dajsinani
Mbrojtës: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Marash Kumbulla, Adrian Bajrami, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti
Mesfushorë: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Ernest Muçi, Jasir Asani
Sulmues: Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku
⚽ Lista e Kombëtares për ndeshjet kundër Gjibraltarit dhe Letonisë, më 4 dhe 9 shtator#ForcaShqiperi pic.twitter.com/5BW5mgn60L
— FSHF (@FSHForg) August 29, 2025
Grumbullimi
Grumbullimi i Kombëtares do të nisë të hënën, më 1 shtator, në Malaga, ku kuqezinjtë do të përgatiten për ndeshjen miqësore ndaj Gjibraltarit, e cila do të luhet më 4 shtator në stadiumin “Europa Point”, në orën 18:00.
Më pas, më 5 shtator, Kombëtarja do të rikthehet në Tiranë për të vijuar përgatitjet në kuadër të ndeshjes kualifikuese ndaj Letonisë, që do të zhvillohet më 9 shtator, në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45.