Brad Pitt ka bërë një lëvizje të re ligjore ndaj Angelina Jolie përpara nisjes së gjyqit të shumëpërfolur për pronësinë e kantinës së verës Château Miraval në Francë.
Aktori ka kërkuar nga gjykata të detyrojë përfaqësuesin e Stoli Group, Alexei Oliynik, të dorëzojë komunikimet e tij me Jolie dhe të paraqitet për një dëshmi zyrtare.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Page Six, Pitt pretendon se ka tentuar disa herë të bashkëpunojë me Oliynik, por pa sukses. Ai akuzon Stoli Group për shmangie të qëllimshme nga procesi ligjor dhe kërkon që dëshmia të zhvillohet në mënyrë virtuale nga vendi ku ndodhet Oliynik, duke hedhur poshtë pretendimin se ai nuk mund të udhëtojë në Kaliforni.
Pitt dhe Jolie e blenë kantinën Miraval gjatë marrëdhënies së tyre, por pas ndarjes, Jolie e shiti aksionin e saj tek Stoli Group — një veprim që Pitt e ka cilësuar si “hakmarrës” dhe i motivuar nga konfliktet e brendshme mes tyre.
Në dokumentet e paraqitura më 30 qershor, aktori pretendon se Alexei Oliynik ka vepruar me urdhër të CEO-së së Stoli Group, Yuri Shefler, duke e konsideruar atë një nga dëshmitarët kyç të këtij procesi gjyqësor.
“Ky veprim nuk është vetëm për Oliynik, por për gjithë Stoli Group,” tha një burim për Page Six. “Ata kanë shmangur në mënyrë të përsëritur procedurat ligjore dhe kanë refuzuar të bashkëpunojnë me drejtësinë.”
Gjyqi për kantinën ende nuk ka një datë të caktuar, ndërsa beteja ligjore mes ish-çiftit të njohur vazhdon.
Pitt dhe Jolie filluan lidhjen në vitin 2004 dhe u martuan në vitin 2014. Ata u ndanë në vitin 2016 dhe përfundimisht finalizuan divorcin në dhjetor 2024, pas një beteje ligjore 8-vjeçare. Ata kanë gjashtë fëmijë së bashku.