Mbështetësit e ish-liderit të Sirisë, Bashar al-Assad, po komplotojnë për të rrëzuar qeverinë e Ahmed al-Sharaa. Një investigim i Reuters ka zbuluar se ata po kanalizojnë miliona dollarë për mijëra luftëtarë për të filluar kryengritjet.
Plani, i zbuluar nëpërmjet intervistave me 48 persona dhe shqyrtimit të dokumenteve financiare del në dritë teksa Siria shënon 1 vit nga rënia e Assadit dhe qeveria e re nën Presidentin Ahmed al-Sharaa po fiton legjitimitet ndërkombëtar.
Dy persona që dikur ishin ndihmësit më të ngushtë të Assadit, Gjeneral Major Kamal Hassan, ish-kreu i inteligjencës ushtarake, dhe kushëriri i tij miliarder Rami Makhlouf po përpiqen nga mërgimi në Moskë të krijojnë milici mes pakicës alavite të Sirisë, grupit fetar të lidhur prej kohësh me familjen Assad.

Të dy këta persona, së bashku me lojtarë të tjerë që konkurrojnë për ndikim brenda Sirisë, po financojnë së bashku më shumë se 50 000 luftëtarë, duke u përpjekur të sigurojnë besnikërinë e tyre. Pushteti i tyre i vërtetë mbetet i paqartë, pasi shumë luftëtarë thuhet se marrin para nga të dyja palët.
Një nga rreziqet më të mëdha në konfliktin midis tyre është një rrjet prej 14 strehimesh dhe deposh nëntokësore në zonat bregdetare, të cilat thuhet se përmbajnë armë, municione, sisteme komunikimi dhe pajisje mbijetese.
Tre zyrtarë të lartë – dy oficerë ushtarakë dhe një guvernator rajonal – konfirmuan ekzistencën e tyre për Reuters, duke thënë se ato mbeten operacionale, megjithëse të dobësuara.
Për t’iu kundërvënë komploteve, qeveria e re e Al-Sharaa ka “punësuar” një mik të vjetër të ngushtë të familjes së Assadit, Khaled al-Ahmad. Dikur një komandant i lartë paraushtarak i Assadit, i cili më vonë u kthye kundër tij, ai po përpiqet t’i bindë alavitët se siguria e tyre mund të garantohet vetëm nën qeverinë e Al-Sharaa dhe jo nga kuadrot e regjimit të vjetër jashtë vendit.