Zbulohet dokumenti/ Çfarë e përcaktoi qëndrimin amerikan për zgjedhjet në Shqipëri

Nuk ka dyshim se politika e administratës amerikane të periudhës Trump ka ndryshuar radikalisht me atë të pararadhëseve, në lidhje me qëndrimin që Uashingtoni mbante për zgjedhjet parlamentare në vende të ndryshme. Efektet e kësaj ere të re me sa duket janë ndierë edhe në Shqipëri. Një dokument i brendshëm i Departamentit të shtetit, i zbuluar nga Fox News të lejon të kuptosh më shumë për këtë. Aty thuhet shprehimisht se diplomatët e SHBA dhe ambasadat lokale janë të lira të bëjnë deklarata urimi për fituesit e zgjedhjeve ose ti përshëndesin ata, me përjashtim të rasteve kur rezultate e votës janë të kontestuara.

“Selitë jashtë SHBA-ve, mundet, pa pasur nevojë për miratim nga Uashingtoni, të publikojnë deklarata në faqet e tyre të internetit, në rrjetet sociale, apo në mediat lokale për të uruar fituesit, përveçse në rastet kur rezultati i zgjedhjeve kontestohet publikisht”, thuhet në dokumentin e bërë publik nga media e së djathtës amerikane. Natyrisht në këtë material nuk përmendet asnjë vend i veçantë, vetëkuptohet që as Shqipëria, por në një farë mënyre ai vlen për të shpjeguar polemikën e madhe që u hap në Tiranë, për mesazhin e thatë për zgjedhjet tona, ku nuk urohej Rama si fitues, por populli shqiptar që kishte votuar.

“Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”, shkruante ambasada me një vonesë dy javore pas garës elektorale të 11 majit.

Çudia që bëri ky mesazh nuk lidhej vetëm me vonesën në reagim, por mbi të gjitha me diferencën e madhe që ai kishte me urimin që i ishte bërë personalisht, katër vite më parë, në zgjedhjet e vitit 2021, kryeministrit Rama. Atëherë zëdhënësi i Departamentit të shtetit, Ned Price, jo vetëm ishte shprehur qartë se vendi i tij e “njihte rezultatin”, por sikur kjo të mos mjaftonte ai kishte theksuar se SHBA-të “përgëzojnë Kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për fitoren e tyre zgjedhore” duke shtuar se “rezultati duhej pranuar nga të gjithë”.

Pra, ndryshe nga sot, kur nuk pati as urim për Ramën, as deklaratë për njohjen e rezultatit, as thirrje drejtuar humbësve për ta pranuar atë, hendeku mes dy qëndrimeve duket flagrant.

Eshtë e kuptueshme se në urdhërin ndaj Shqipërisë, përpos qasjes së sekretarit të shtetit, Marco Rubio, për të mos uruar liderët me fitore të kontestuar, ka luajtur një rol të dukshëm edhe fakti se me anë të lobistëve të saj opozita vendase ka bërë të mundur të dëgjohen pretendimet për zgjedhje të manipuluara.

PD nuk e ka fshehur kurrë se ajo po i konteston zgjedhjet në Departamentin Amerikan të Shtetit. Dhe për këtë duket se është ngarkuar kompania lobuese “Continental Strategy”, në Uashington, e cila paguhet me 250 mijë dollarë në muaj për çdo shërbim që i kryen opozitës shqiptare.

Në “raportin paraprak” të dorëzuar nga kjo kompani në Departamentin e Drejtësisë më 16 maj, PD këmbëngulte për një “hetim ndërkombëtar” për zgjedhjet si dhe për krijimin e një “qeverie teknike” për të organizuar zgjedhje të lira.

Por, duket se fjala e kompanisë “Continental Strategy” ka goxha peshë në korridoret e diplomacisë amerikane. Ajo është themeluar nga njerëz shumë pranë presidentit Trump, si një prodhim i krijuar nga rrethi i tij i ngushtë. Ai që ka firmosur kontratën e shërbimeve me PD-në është Carlos Trujillo, themeluesi i kësaj kompanie në vitin 2021, ish këshilltar dhe jurist pranë Trump. Aty bën pjesë edhe Katie Wiles, vajza e Susie Wiles, ish shefja e fushatës së Trump së bashku me La Civitën dhe që sot shërben si shefe kabineti e plotëfuqishme e presidentit amerikan. Po në të njëjtën kompani bën pjesë edhe Alberto Martinez, ish shef stafi i sekretarit aktual të Shtetit, Marco Rubio.

Pra, trokitjet e “Continental Strategy” në dyert e zyrtarëve që merren me Shqipërinë, duket se kanë pasur fatin që të jenë sinkron me politikën e re të Departamentit të Shtetit për të mos uruar liderët fitoret e të cilëve janë kontestuar publikisht. Një gjë e tillë bëhet mëse e qartë në dokumentin e publikuar nga Fox News. E kjo përbën një shpjegim të qartë edhe se pse SHBA nuk e uruan Ramën.

Në dokumentin e sekretarit të shtetit Marco Rubio theksohet gjithashtu se “Sipas qasjes së administratës për sovranitetin kombëtar, Departamenti do të bëjë komente publike mbi zgjedhjet vetëm kur të ekzistojë një interes i qartë dhe i fuqishëm i politikës së jashtme amerikane për ta bërë këtë”.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top