Sean “Diddy” Combs do të lirohet nga burgu më 8 maj 2028, sipas të dhënave të Bureau of Prisons në SHBA. Ai aktualisht ndodhet në Metropolitan Detention Center në Brooklyn, por mund të transferohet në një institucion tjetër gjatë vuajtjes së dënimit.
Combs, 55 vjeç, u dënua më herët këtë muaj me 50 muaj burg (rreth 4 vjet e 2 muaj), një gjobë prej 500 mijë dollarësh, si dhe detyrimin për të marrë pjesë në programe rehabilitimi për shëndetin mendor dhe abuzimin me substanca.
Gjatë shpalljes së vendimit, gjykatësi Arun Subramanian vlerësoi ndikimin pozitiv që Diddy ka pasur në komunitet si artist e biznesmen, por theksoi se duhej të merreshin parasysh edhe veprimet e tij të rënda ndaj viktimave.
“Ju i keni abuzuar ato fizikisht, emocionalisht dhe psikologjikisht,” – tha gjykatësi. – “Kjo ndodhi për kaq gjatë sepse kishit pushtetin dhe mjetet për ta mbajtur të fshehtë.”
Combs u gjet fajtor në korrik për dy akuza të transportimit për prostitucion, që mund t’i sillnin deri në 20 vjet burg, por u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda të trafikimit seksual dhe organizatës kriminale, të cilat mund ta dënonin me burgim të përjetshëm.
Që nga arrestimi në shtator 2024, ai ka qenë në paraburgim – periudhë që do t’i llogaritet në dënim.