Brad Pitt ka paraqitur sërish dokumente në gjykatë duke kërkuar që ish-bashkëshortja e tij, Angelina Jolie, të detyrohet të dorëzojë komunikimet e saj private me bashkëpunëtorët kryesorë, në kuadër të betejës së gjatë ligjore për pronësinë e kantinës së verës “Château Miraval” në Francë.
Sipas dokumenteve të reja gjyqësore të siguruara nga Page Six, aktori ka kërkuar që Jolie të dorëzojë email-et e shkëmbyera me menaxherin e saj të biznesit, Terry Bird, publicistet britanike Chloe Dalton dhe Arminka Helic, si dhe dy konsulentë financiarë.
Pitt thekson se Jolie ka pranuar më herët se ka pasur “biseda të rregullta” me Bird mbi të gjitha aspektet e jetës së saj profesionale, përfshirë çështjet ligjore. Megjithatë, ajo ka refuzuar të dorëzojë email-et, duke pretenduar se përmbajnë komunikime të mbrojtura me avokatët e saj.
“Ajo që Jolie përshkruan janë sesione brainstorming-u mes personash që nuk janë juristë,” thuhet në dokumentet e paraqitura nga Pitt. “Fakti që këto biseda mund të kenë paraprirë ose pasuar këshilla ligjore, nuk i bën ato të mbrojtura nga dorëzimi.”
Aktori pretendon se email-et e munguara përmbajnë diskutime mbi kushtet e shitjes së aksioneve të Jolie në “Château Miraval” te grupi Stoli – transaksioni kryesor që ndodhet në qendër të padisë.
Pitt gjithashtu i ka kërkuar gjykatës të refuzojë kërkesën e Jolie që ai t’i paguajë asaj 33 mijë dollarë për shpenzimet ligjore, pasi ajo e kishte paralajmëruar se do të kërkonte rimbursim nëse mocioni i tij refuzohej.
Nga ana tjetër, avokati i aktores, Paul Murphy, e akuzoi Pitt-in se po përpiqet të “shkelë komunikimet e privilegjuara” të Jolie-s me avokatët e saj, duke e quajtur këtë një tjetër përpjekje të tij për “ta kontrolluar dhe ngacmuar” ish-bashkëshorten.
“Kjo tregon sërish se padia është pjesë e përpjekjes shumëvjeçare të z. Pitt për të ngacmuar dhe kontrolluar Angelinën,” deklaroi Murphy për Page Six.
Jolie dhe Pitt janë në konflikt ligjor që nga viti 2022, pasi aktori e paditi atë për shitjen e pjesës së saj në pronësinë e kantinës pa marrë pëlqimin e tij.