Një skandal i rëndë korrupsioni ka përfshirë partinë e ish-kryeministrit hungarez Viktor Orban, pas zbulimit të rreth 20 milionë dollarëve të fshehura në pyje, hambare dhe depo, në kuadër të një hetimi që çoi në arrestimin e ish-ministrit të Zhvillimit, Miklós Sesták.
Për numërimin e parave, të cilat përfshinin forinta hungareze, euro dhe dollarë, u angazhuan 12 punonjës të Thesarit Shtetëror, të cilëve iu deshën tetë orë për të përfunduar procesin.
Skandali ka shkaktuar tronditje në Fidesz, veçanërisht pasi vetëm një ditë para zbulimit të parave, Orban kishte deklaruar se qeveria e tij nuk ishte përfshirë në korrupsion dhe se ministrat e tij ishin “absolutisht të pastër”.
Hetimet për korrupsion janë zgjeruar pas ardhjes në pushtet të kryeministrit Péter Magyar, i cili i dha fund sundimit 16-vjeçar të Orbanit. Deri tani, tre ish-ministra dhe vëllai i ish-kryeministrit janë arrestuar në kuadër të çështjeve të ndryshme. Orban i ka cilësuar arrestimet si persekutim politik, ndërsa brenda Fidesz kanë nisur të shfaqen përçarje. Disa figura të larta të partisë kanë kërkuar dorëheqjen e ish-ministrit Sesták nga mandati parlamentar, ndërsa të tjerë kanë bërë thirrje për ndryshime të thella dhe llogaridhënie.
Kriza ka ndikuar edhe në mbështetjen politike të partisë. Sipas një sondazhi të publikuar nga 24.hu, mbështetja për Fidesz ka rënë në 24%, nga 36% në ditën e zgjedhjeve të 12 prillit. Ndërkohë, partia Tisza e Péter Magyar ka rritur mbështetjen në 65%, nga 56%.
Një tjetër sondazh tregon se 70% e hungarezëve e konsiderojnë shumë të rëndësishme vazhdimin e hetimeve për korrupsionin gjatë qeverisjes së Orbanit, ndërsa 57% besojnë se edhe vetë ish-kryeministri mund të përfundojë nën hetim penal.
Magyar ka kërkuar publikisht që prokurorët të hetojnë edhe rolin e Orbanit në çështje të tjera të dyshuara, ndërsa ish-kryeministri ka mohuar çdo përfshirje.
Tashmë, pyetja kryesore është nëse Viktor Orban do të arrijë të mbajë nën kontroll partinë që drejtoi për gati katër dekada, apo skandalet e njëpasnjëshme do të shënojnë fillimin e fundit politik të Fidesz.