Presidenca ka zbardhur takimin e presidentit Bajram Begaj me homologun francez Emmanuel Macron.
Deklarata
Kjo vizitë është një ngjarje historike në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, pasi është vizita e parë zyrtare e një Presidenti të Francës në Shqipëri. Përgjatë takimit kokë më kokë, Presidenti Begaj nënvizoi se kjo vizitë demonstron interesin e përbashkët për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe në drejtim të paqes, sigurisë, dhe zhvillimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Pjesë e bisedimeve me Presidentin Macron ishin edhe integrimi evropian i Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon. Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen, për mbështetjen e vyer që Franca dhe Presidenti Macron i kanë dhënë e i japin procesit të zgjerimit dhe të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Procesit të Berlinit. Ai gjithashtu vlerësoi iniciativën e ndërmarrë një vit më parë nga Presidenti Macron, për lançimin e Komunitetit Politik Evropian, si një iniciativë që i jep më shumë mundësi Shqipërisë dhe vendeve të tjera kandidate në Bashkimin Evropian, të kenë më shumë akses në projektet e BE-së, veçanërisht në fushën e shkëmbimeve universitare dhe studentore.
Begaj falënderoi gjithashtu Presidentin Macron, për kontributin në mbështetje të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht përmes planit të quajtur franko-gjerman, duke nënvizuar nevojën e mbështetjes së mëtejshme të këtij dialogu, por edhe të nevojës së dënimit dhe të çkurajimit të akteve të dhunës dhe të provokimeve në komunat e Veriut të Kosovës. “Kosova është vend sovran dhe i pavarur, dhe akte terroriste si ajo e Banjskës në Zveçan (24 shtator 2023), janë të papranueshme e të dënueshme për sigurinë e saj, por edhe të rajonit e të mbarë kontinentit evropian.”.
Presidenti Begaj vlerësoi se pesë vjet pas nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit Strategjik midis dy vendeve, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Francës kanë hyrë në një fazë të re e shumë dinamike. Begaj shprehu kënaqësinë e tij se përtej marrëdhënieve të konsoliduara kulturore midis dy vendeve, interesi i madh i kompanive franceze, veçanërisht në fushën e energjisë së rinovueshme, por jo vetëm, po i çon marrëdhëniet në një nivel tjetër, edhe më të lartë. “Jam besimplotë që projektet e parqeve fotovoltaike në Karavasta dhe Spitallë, do të ndiqen edhe nga projekte të tjera të mëdha nga investitorët francezë.