Zbardhen pjesë nga kërkesa e Kryeministrisë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për çështjen “Balluku”. Në kërkesën e bërë nga qeveria kërkohet pezullimi i vendimit të GJKKO-së për Ballukun, duke theksuar se “pezullimi nga detyra” sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror.
“Pezullimi sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror duke krijuar vakuum institucional pasi pamundëson propozimin e projekteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian, rreth 800 projekte për tu miratuar deri në fund të 2027 nga ministria që udhëhiqet nga ministri, i cili është pezulluar nëpërmjet vendimit të GJKKO-së”, arsyeton Këshilli i Ministrave.

Balluku u pezullua nga detyra pas kërkesës së SPAK, masë që u miratua nga Gjykata e Posaçme bashkë me detyrimin për të mos dalë jashtë vendit. Zv.kryeministrja u mor e pandehur për tenderin më vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Ajo është nën hetim edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Balluku akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera” pasi dyshohet se ka ndikuar për të paracaktuar fituesin.