Në fitoren e Juventus ndaj Empolit me përmbysje, emri i tij nuk u shfaq në tabelën e shënuesve, por ai ishte shpirti i skuadrës, edhe kur rezultati nuk i buzëqeshte bardhezinjve. Po flasim për Kenan Yildiz, i cili aktualisht duket i pazëvendësueshëm në skemat e teknikut Thiago Motta falë energjisë, dëshirës dhe cilësive të tij teknike.
Megjithatë, Juventus duhet të jetë i kujdesshëm në ruajtjen e talentit të tij, pasi jo vetëm disa klube të mëdha të Premier League kanë vënë sytë mbi të, por edhe Jorge Mendes. Sipas Corriere dello Sport, menaxheri i fuqishëm portugez dyshohet se gjatë një darke ka diskutuar me Cristiano Giuntoli dhe familjen e Yildiz, e cila menaxhon interesat e tij. Ka gjasa që Mendes të ketë paraqitur avantazhet e mundshme të një kalimi nën menaxhimin e tij ose madje të ketë vënë në tryezë një ofertë, duke qenë se shpesh vepron edhe si ndërmjetës në transferime.
Ndërkohë, Juventus duket se i ka vendosur një vlerë tregut të lojtarit pas rinovimit të fundit deri në vitin 2029 të Yildiz. Sipas të përditshmes italiane, në fillim të janarit, nga brenda klubit qarkullonin zëra që e vlerësonin atë “të paktën 100 milionë euro”. Kjo nuk është një rastësi, pasi, siç u pa edhe me rastin Cambiaso, në futbollin modern nuk ka lojtarë të pashitshëm—me ofertën e duhur, çdo largim mund të merret në konsideratë.
CITY HEDH SYTË NGA LOCATELLI
Sa i përket Manchester City, që më parë kishte shfaqur interes për anësorin që mbeti te Juventus, ata kanë bërë një sondazh edhe për Manuel Locatellin. Mesfushori italian ishte futur në listën e Guardiolës si një alternativë për të zëvendësuar të dëmtuarin Rodri. Megjithatë, në fund, Citizens vendosën të transferojnë Nico Gonzalezin nga Porto për 60 milionë euro.