Juventus ka arritur të fitojë në fushën e Bodo në Champions, duke siguruar edhe fitoren e saj të parë europiane të sezonit. Fitorja 3-2 e bardhezinjve është meritë e një pjesë të dytë të mrekullueshme, në të cilën skuadra e Luciano Spallettit arriti ta përmbyste menjëherë edhe falë hyrjes në fushë të Kenan Yildiz. Turku ishte fari i vërtetë i bardhezinjve në pjesën e dytë, i aftë të shpikte lojë pas loje që rigjallëruan sulmin, duke sjellë gola dhe paparashikueshmëri në manovrën e Zonjus së Vjetër.
Pikërisht për këtë ka folur turku gjatë një interviste të dhënë për Sky menjëherë pas sfidës në Norvegji. Yildiz u thirr të përgjigjej në një pyetje të Fabio Capellos, i cili në fakt i kërkonte të ishte më i vazhdueshëm. Turku pohoi me kokë dhe më pas u përgjigj për atë që sapo kishte thënë i dërguari, Giovanni Guardalà, për faktin se Spalletti para ndeshjes kishte thënë për shtypin se Kenan kishte nevojë të merrte pak frymë. Yildiz mbetet i habitur: “Në fakt nuk e dija që nuk do të luaja deri pak para ndeshjes, ka qenë një vendim i tij”. Në këtë moment, në studio shpërthen një e qeshur.
Capello, por edhe Del Piero e Boban qeshin lehtë dhe duket se kjo i vjen në vesh Yildizit, i cili, ndërsa po përgatitej të përgjigjej, ndërpret intervistën duke kërkuar shpjegime te vetë Guardalà: “Pse qeshin?”. Gazetari shpjegon se nuk po qeshnin me të, por për shkak të vendimit të Spallettit për të dhënë formacionin vetëm pak çaste para fillimit të ndeshjes. Dhe kështu edhe Yildiz buzëqesh dhe e konfirmon këtë zakon të trajnerit të tij të ri: “Po, pothuajse në momentin e fundit, por kur hyra brenda doja të jepja më të mirën time”.
Në atë pikë, Del Piero merr fjalën. Nga një numër 10 te një numër 10 tjetër, ish-kapiteni i bardhezinjve e pyet Yildizin duke i thënë se veprimi më i bukur ishte ai për Mirettin dhe se hyrja e tij ka qenë pak të thuash vendimtare për fitoren e ndeshjes. Turku megjithatë është i përulur dhe nuk shqetësohet, por sigurisht gëzohet për komplimentet e një legjende si Del Piero: “Unë nuk jam i përqendruar të bëj gola apo asistime për veten, por jam i përqendruar për ekipin tim, dhe sot e ndihmova pak”. Pastaj një batutë për golin e anuluar të Mirettit: “Do të kishte qenë qershia mbi tortë”.