Yaya Touré ka qenë një nga shtyllat e Barcelonës së parë të Pep Guardiolës, asaj që realizoi një tripletë historike duke luajtur një futboll me bukuri të rrallë. Por mes të dyve më pas përfundoi keq, madje shumë keq. Për marrëdhënien e tyre ish-mesfushori ka folur në një intervistë dhe për trajnerin që ka ndryshuar futbollin modern ka vetëm fjalë shumë të ashpra. Guardiola është quajtur një gjarpër, por jo vetëm.
“Nuk shoh një njeri tek ai, shoh një gjarpër”
Kush e di çfarë mendon Kolo Touré, vëllai i Yaya dhe pjesë e stafit të Guardiolës, për intervistën e dhënë për kanalin YouTube Zack en Roue Libre nga ish-mesfushori, i cili me Barcelonën e Pep fitoi thuajse gjithçka (në total 7 trofe, përfshirë Champions League). Yaya është rikthyer, pas vitesh në fakt, të flasë për marrëdhënien e tij të ndërlikuar me Guardiolën, i cili u bë trajner i Barcelonës në 2008 dhe e tërhoqi Touren pas në mbrojtje për të lejuar Xavi, Iniesta e Busquets të luanin së bashku si një formulë e pandryshueshme për vite.
Ish-futbollisti shpesh e ka fyer rëndë trajnerin dhe tani ka filluar përsëri. Duke përdorur fjalë që nuk lënë vend për interpretim: “Nuk shoh një njeri tek ai, shoh një gjarpër. Më trajtoi sikur të isha pluhur”. Më e qartë se kaq nuk bëhet.
Yaya Touré kujton fjalët e gruas së tij
Ai argumentoi mendimin e tij duke përmendur një histori të vjetër dhe duke cituar gruan e tij: “Një vit luajta shumë pak, vendosa të largohesha (për të kaluar tek Manchester City), por pas paraqitjes sime të shkëlqyer në Kupën e Botës 2010 ai më telefonoi dhe më tha se më donte te Barcelona: ‘Duhet të kthehesh, është e rëndësishme’. Gruaja ime më tha: ‘Do t’i dëgjosh këto marrëzira? Të ka trajtuar si një mbeturinë dhe tani do që të qëndrosh? Të ikim në Manchester, nuk është njeri, është i keq’. Ajo e shihte si një person negativ.”
Touré, pas lamtumirës Barcelonës, kaloi te Manchester City, skuadër ku u bë shtyllë absolute. Por në 2016 u gjet përsëri me Guardiolën si trajner. Një bashkëjetesë e ndërlikuar, dy sezone së bashku para një ndarjeje të ashpër dhe shumë fjalëve të zemëruara, përfshirë edhe një mallkim, që “funksionoi” deri në 2023.