Yamal përjashtohet nga lista e Spanjës, Federata akuzon Barçën: e operuan fshehurazi

Federata Spanjolle e Futbollit ka dërguar një komunikatë të ashpër në adresë të Barcelonës, me objekt: Lamine Yamal. Talenti i ri blaugrana është në qendër të një mosmarrëveshjeje të ndërlikuar mes klubit dhe Federatës, dhe grumbullimi i tij i fundit me Kombëtaren ka zbuluar një kapitull të ri të përplasjeve gjithnjë e më të thella mes palëve. Lojtari, me pëlqimin e Barcelonës, do t’i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në të njëjtën ditë me fillimin e grumbullimit të Spanjës, pa dijeninë e RFEF-it. Prej këtu, erdhi vendimi për ta hequr atë nga lista e të grumbulluarve, jo pa një tjetër goditje ndaj klubit: “Kjo procedurë është kryer pa njoftuar paraprakisht stafin mjekësor të Kombëtares.”

Yamal thirret nga Spanja, më pas përjashtohet nga lista

Pra, Lamine Yamal nuk do të luajë me Spanjën në këtë pauzë të afërt për ndeshjet e Kombëtareve. Talenti tetëmbëdhjetëvjeçar i Barcelonës është “përjashtuar” nga Federata Spanjolle nga përgjigjja ndaj thirrjes së trajnerit De la Fuente, i cili e kishte përfshirë në listën fillestare, sepse lojtari, duke përfituar nga pushimi, iu nënshtrua një operacioni për të zgjidhur një problem me pubalgjinë. Gjithçka do të ishte normale po të mos ishte fakti se në Kombëtare nuk dihej asgjë, veçse kur gjithçka kishte përfunduar. Prej këtu edhe komunikata e ashpër e dërguar Barcelonës, që konfirmon përçarjen në menaxhimin e lojtarëve.

Komunikata e ashpër e RFEF-it: “I operuar fshehurazi”

“Shërbimet Mjekësore të RFEF-it dëshirojnë të shprehin habinë dhe shqetësimin e tyre pasi mësuan në orën 13:47 të hënën, më 10 nëntor, ditën e fillimit të grumbullimit zyrtar me Kombëtaren, se lojtari Lamine Yamal atë mëngjes i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje invazive me radiofrekuencë për trajtimin e shqetësimit në pubis.” – Kështu nis letra zyrtare e dërguar klubit të Laportës.

“Kjo procedurë është kryer pa njoftuar paraprakisht stafin mjekësor të Kombëtares, i cili është informuar për hollësitë vetëm përmes një raporti të mbërritur në orën 22:40 të mbrëmjes së djeshme, ku shënohej rekomandimi mjekësor për një pushim prej 7–10 ditësh.” Përballë provave, Federata ka ndërmarrë të vetmen gjë të mundshme: “përjashtimin e lojtarit nga grumbullimi aktual.”

 

Letra përfaqëson pikën e fundit të një serie tensionesh të akumuluara ndërmjet Barcelonës dhe RFEF-it, veçanërisht rreth figurës së Yamalit. Më 9 nëntor, ai kishte zbritur normalisht në fushë kundër Celta Vigos, duke marrë pjesë në fitoren e thellë në transfertë me një gol, dhe u zëvendësua vetëm në minutën e 97-të, pa shfaqur asnjë problem fizik. Më pas, vendimi për ndërhyrjen invazive, të rënë dakord me klubin por pa u komunikuar Federatës, shkaktoi shpërthimin e polemikës.

Një çështje e vjetër dhe e ndërlikuar, duke qenë se që në shtator Flick kishte akuzuar hapur kolegun De la Fuente se nuk kishte mbrojtur Yamalin gjatë ndeshjeve me Kombëtaren, duke rrezikuar integritetin e tij fizik për Barcelonën, dhe kështu kishte nisur një përplasje tashmë të pakthyeshme.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top