Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka folur për jetën jashtë futbollit, duke treguar rëndësinë që kanë familja dhe vlerat personale në rrugëtimin e tij.
Në një intervistë për “bote.ch”, Xhaka ka thënë se bashkëshortja Leonita Lekaj dhe tri vajzat e tyre, Ayana, Laneya dhe Neyana, janë burimi kryesor i mbështetjes dhe motivimit të tij.
Futbollisti ka treguar se edhe pas shumë sukseseve në karrierë vazhdon të kërkojë këshilla nga prindërit dhe vëllai i tij, Taulanti. Ai ka pranuar se me kalimin e viteve është bërë më i durueshëm dhe ka mësuar të mos kërkojë gjithçka menjëherë.
Për vajzat e tij, Xhaka dëshiron të përcjellë mbi të gjitha ambicien dhe këmbënguljen për të ndjekur ëndrrat, ndërsa pranon se padurimi është një tipar që nuk do të donte t’ua trashëgonte.
Duke kujtuar rrugëtimin nga largimi i familjes nga Kosova drejt Zvicrës deri te arritjet në futboll, Xhaka thotë se forca e karakterit dhe lufta për sukses janë mësimet më të rëndësishme që dëshiron t’ua lërë fëmijëve të tij.