Tragjedi në futbollin brazilian: Wanderson Brandão de Sousa, futbollist 18-vjeçar i Aragoiania, vdiq në vend pasi u qëllua në zverk nga një plumb që u shkrep aksidentalisht – sipas hetuesve kjo do të ishte hipoteza – nga pushka e gjahut që po pastronte vëllai i tij më i vogël, 16 vjeç. Një vdekje absurde. Gjithçka ndodhi në një çast: sipas Policisë Civile të Goianias, aksidenti fatal ndodhi rastësisht, plumbi do të ketë dalë në momentin kur vëllai i lojtarit po pastronte pushkën.
Wanderson u vra aksidentalisht me pushkë nga vëllai i tij 16-vjeçar
Brandão de Sousa vdiq të dielën në shtëpinë ku jetonte me vëllezërit e tij: e shtëna e fortë në zverk nuk i la asnjë shans për mbijetesë, dhe as ndërhyrja e personelit mjekësor nuk mundi të bënte diçka për ta shpëtuar. Pasi u përcaktua dinamika e ngjarjes, hetimi po përpiqet të zbulojë origjinën e armës së zjarrit që qëlloi plumbin fatal. Djaloshi që dyshohet se ka shtypur këmbëzën ende nuk është marrë në pyetje; për të akuza është vrasje nga pakujdesia, pra pa qëllim vrasjeje.
“Vëllai që qëlloi është në shok”, – tha drejtori sportiv i Aragoiania, Silvanio Rodrigues Castro, duke njoftuar njëkohësisht se klubi ka pezulluar për disa ditë aktivitetet sportive dhe mësimet në shkollën e futbollit në kujtim të lojtarit të ndjerë.
Kush ishte Wanderson Brandão de Sousa?
Wanderson Brandão de Sousa luante si mbrojtës i majtë në skuadrën e parë të Aragoiania Futebol Clube. Ekipi përfaqëson qytetin Goiania (në shtetin brazilian të Goias) në gara amatore, si Copa Vale Rio dos Bois, turne në të cilin lojtari po merrte aktualisht pjesë. “Një djalë gjithmonë i qetë, shumë i urtë, nuk krijonte asnjë problem. Një i ri i përulur, i përkushtuar ndaj punës, me marrëdhënie të mira me stafin teknik, lojtarët dhe miqtë. Është një humbje e madhe për qytetin,” – tha klubi, duke shprehur ngushëllimet për familjen.
Në rrjetet sociale, shokët e skuadrës dhe miqtë kanë vajtuar humbjen e Wandersonit dhe i kanë bërë homazhe: “Nuk do të harrohesh kurrë, je në zemrat tona.”