Serbia ka hyrë në një prej javëve më të rëndësishme të dekadës së fundit: shtatë ditë për të vendosur fatin e rafinerisë së vetme të vendit dhe për t’i shpëtuar një krize energjetike të paralajmëruar, teksa sanksionet amerikane e kanë futur në qoshe strukturën ruse të NIS. Presidenti Aleksandar Vuçiç, në një mbledhje qeveritare të transmetuar drejtpërdrejt në televizionin shtetëror, e përkufizoi situatën me një urgjencë të rrallë: “Vendimi duhet të merret gjatë shtatë ditëve të ardhshme; rafineria duhet të vazhdojë punën.”
Deklarata e tij është një sinjal politik se Serbia po detyrohet të ndërhyjë në një aset strategjik ku rusët kanë patur kontroll absolut që nga viti 2008. Por Vuçiç bëri kujdes të shmangte çdo perceptim përballjeje me Moskën, duke artikuluar me një gjuhë të kontrolluar: “Dua ta shmangim me çdo kusht konfiskimin, nacionalizimin apo sekuestrimin e pronës… Nuk duam t’i marrim askujt asgjë.” Pas kësaj fraze të butë që synon të mos irritojë Kremlinin, ai shtoi edhe një mesazh për Washingtonin: Serbia do të shqyrtojë çdo opsion, përfshi blerjen e aksioneve ruse me një ofertë mbi tregun, nëse negociatat ruso–aziatike apo ruso–europiane nuk prodhojnë rezultat. “Dua të konsumojmë çdo mundësi përpara se të angazhohemi në një proces marrjeje apo diçka tjetër,” theksoi ai. Dhe më tej, prerë: “Duhet të kemi një zgjidhje deri të dielën e ardhshme.”
Në sfondin e këtyre citimeve që ekspozojnë presionin politik mbi Beogradin, qëndron realiteti teknik: NIS, e bllokuar financiarisht nga sanksionet amerikane, ka rezervë nafte vetëm deri më 25 nëntor. Bankat kanë ngrirë transaksionet, furnizimet e reja janë të pamundura, dhe rafineria e Pancevëv, arteria kryesore energjetike e vendit, po shkon drejt ndalimit.
Mekanizmi presionit është i qartë. Pas disa shtyrjeve të njëpasnjëshme, më 9 tetor, Departamenti Amerikan i Thesarit nisi zbatimin e plotë të sanksioneve, duke komunikuar qartë kushtin e vetëm për heqjen e tyre: largimin e të gjithë aksionerëve rusë nga NIS.
Këtë fundjavë, SHBA vendosi një tjetër afat: pronarët rusë kanë tre muaj kohë të gjejnë një blerës. Gazprom Neft (44.9%) dhe Gazprom (11.3%) kanë njoftuar tashmë OFAC për gatishmërinë për t’ia kaluar kontrollin një pale të tretë, një lëvizjeje që nuk do të ndodhte pa presion të drejtpërdrejtë amerikan.
Ndërkohë, ministri i Financave Sinisha Mali paralajmëronte publikisht se zgjatja e sanksioneve mund të godasë “rritjen ekonomike, vlerësimet e kreditit dhe investimet e huaja” të vendit, një paralajmërim që i shërben edhe politikës së brendshme, duke deleguar fajin tek “faktori i jashtëm”.
Historia e afërt tregon se Serbia ka luajtur me kohën: ka negociuar shtyrje, ka shmangur vendime të drejtpërdrejta dhe ka ruajtur një balancë të brishtë mes BE-së dhe Rusisë. Por këtë herë, presioni amerikan është ndryshe: është ekonomik, teknik, urgjent dhe ka prekur një aset që Serbia nuk mund ta humbasë pa pasoja të menjëhershme.
Nëse partnerët rusë të NIS largohen, kjo do të jetë prova më e dukshme se sanksionet, kur prekin nervin e interesit ekonomik, funksionojnë. Serbia mund të shpëtojë rafinerinë, por çmimi politik paguhet diku tjetër: një hap më larg nga Moska dhe një hap më pranë orbitës së presionit amerikan.