Policia e Tiranës ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së Martin Canit, ditën e djeshme jashtë ambienteve të shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet.
Martini, 14 vjeç u qëllua me thikë dhe goditja në zemër ishte fatale për të miturin. Në sherr u përfshinë disa adoleshentë, ndërsa kanë mbetur të plagosur Cani dhe dy adoleshentë të tjetër, mes tyre autori. Cani fatkeqësisht nuk ia doli.
TIRANË- Njoftimi i plotë:
Tiranë/ Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në rrugën “Qemal Stafa”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit arrestuan një të mitur 14 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 79 pika a dhe 279 të Kodit Penal.
Ky shtetas, ditën e djeshme, në afërsi të shkollës “Fan Noli”, për motive të dobëta është konfliktuar me dy bashkëmoshatatët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ato me mjet prerës. Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit.
Si pasojë e plagëve të marra njëri nga 14-vjeçarët ka ndërruar jetë në spital, ndërsa tjetri, së bashku me autorin e dyshuar ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë.