“Vrapojmë si derra e pa frikë”: Sylvinho zbulon kartat, përjashton dy sulmues

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, u shfaq i qetë dhe i vendosur gjatë konferencës për shtyp në prag të sfidës vendimtare ndaj Ukrainës, por deklaratat e tij nuk munguan të linin një shije interesante për të gjithë të pranishmit.

“Mbrojmë si 10, sulmojmë si ekip”
Sylvinho e nisi me filozofinë e tij të zakonshme, duke theksuar rëndësinë e unitetit taktik. “Kur mbrojmë, jemi si një bllok me 10 lojtarë. Edhe kur sulmojmë, e bëjmë të gjithë,” tha ai, duke rikthyer kujtimet e golit të Ismajlit në përballjen e kaluar me Ukrainën. Deklarata dukej si një sinjal për të forcuar besimin në ekipin e tij, që tani lufton për vendin e parë.

Dilemat e fundit dhe dyshimi për Asanin

Një nga pikat më pikante ishte trajtimi i gjendjes fizike të lojtarëve, ku Sylvinho ishte tepër i kujdesshëm, veçanërisht për situatën e Asanit dhe Tucit. “Asani do të stërvitet sot pak nga pak, dhe nëse nuk e përfundon stërvitjen, nuk do të luajë nesër. Nuk marrim rreziqe,” u shpreh ai. Në këtë moment, Sylvinho dha një batutë që shkaktoi buzëqeshje në sallë: “Në fushë nuk futet kushdo që thotë ‘trajner, jam gati’. Fusha flet!”

Dy sulmues? Mos prisni ‘dy torra’ përpara!

Pyetja për një formacion me dy sulmues e kapi trajnerin me humor, por ai ishte i qartë: “Nuk më pëlqen të luaj me dy ‘torra’ përpara. Duhet balancë në skuadër.” Kjo u duk si një mesazh për ata që kërkojnë formacione ultra-ofensive, duke shtuar se Daku dhe Uzuni mund të jenë kombinim i mundshëm.

“Do të vrapojmë si derra!”
Një frazë që nuk kaloi pa vëmendje ishte kur Sylvinho përshkroi intensitetin e skuadrës së tij në fushë. “Në fushë do të vrapojmë si derra, dhe pastaj, kur të mbarojë ndeshja, do të shohim rezultatin,” tha ai, duke krijuar një moment që u prit me të qeshura nga gazetarët, por që reflektoi seriozitetin e përgatitjes së skuadrës.

Objektivi? Vendi i parë, por pa frikë!

Sylvinho nuk e fshehu ambicien për të kapur vendin e parë në grup, duke i dhënë një motivim të qartë skuadrës dhe tifozëve. Ai përsëriti se ky grup është ndër më të balancuarit dhe çdo rezultat është i mundur. Por për trajnerin, frika nuk është një opsion: “Në fushë nuk shkohet me frikë, as ne dhe as ata. Do ta provojmë dhe ta shohim pas ndeshjes.”

Finalja që do të vendos gjithçka

Tekniku brazilian e mbylli konferencën me një mesazh të qartë për lojtarët dhe tifozët: “Kjo ndeshje është finale. Duhet zemër dhe shpirt për të dalë triumfues. Po luajmë në shtëpi dhe kemi mbështetjen e publikut tonë.”

Kështu, Sylvinho u shfaq i përqendruar dhe i sigurt, duke përgatitur një ekip që kërkon të mbyllë këtë fushatë të suksesshme me një moment historik: vendin e parë në grup.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top