Në Kosovë ka votuar Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, njëherësh edhe kandidat për Kryeministër. Pas votimit ai tha se kjo ditë e zgjedhjeve është më e rëndësishmja e demokracisë.
Abdixhiku u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë për një zhvillim dhe stabilitet dhe jo për një bllokadë e përçarje që sipas tij përcolli vendin gjatë viteve të fundit.
“Më lejoni t’iu uroj në këtë ditë ku vendimmarrja i kthehet sovranit qytetarit, është ditë e mirë, e mbarë dhe të shpresojmë që në vazhdimësi gjithë procesi i votimit do të shkojë mbarë e mirë.
Uroj që qytetarët e Kosovës në këtë ditë të rëndësishme që përcakton fatin e 4 viteve të ardhshme, të zgjedhin për zhvillim, stabilitet, të ardhme euroatlantike e të largohen nga zymtësia, bllokada e përçarja që na ka shoqëruar në këto vite”, – tha Abdixhiku, pas votimit i cili ishte i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij.