Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se Kuvendi Kombëtar i PD-së po zhvillohet në frymën e ripërtëritjes së partisë, ndërsa vlerësoi listat e kandidatëve për Këshillin Kombëtar si ndër më dinjitozet që ka pasur kjo forcë politike.
Pasi hodhi votën e tij në një prononcimi për mediat, Berisha tha se listat përfaqësojnë një elitë të vërtetë politike dhe pasqyrojnë frymën e rinovimit që, sipas tij, karakterizon këtë Kuvend.
“Jam i bindur se këto lista përfaqësojnë një elitë të vërtetë politike të Shqipërisë, një ripërtëritje në frymën e këtij Kuvendi. Janë ndër listat më dinjitoze. Natyrisht, shumësia e kandidaturave e bën të vështirë zgjedhjen, sepse ka kandidatura të shkëlqyera. Ripërtëritje do të thotë vizion,do të thotë modernitet i Partisë Demokratike dhe një organizim shumë më i fuqishëm. Do të ketë ripërtëritje nga seksioni, deri në majë. Vota i përcakton natyrisht, por sensi i ripërtëritjes është një fill i kuq që përshkon gjithçka”, tha Berisha.