Votimi për shkarkimin e 4 kryetarëve në veri, Kosova i kërkon BE-së heqjen e sanksioneve të padrejta

Qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje të hënën Bashkimit Europian që t’i heqë masat e “padrejta” ndëshkuese ndaj saj, duke thënë se e ka përmbushur tashmë detyrimin e kërkuar nga blloku për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Në një komunikatë për media, qeveria tha se me përfundimin e procesit zgjedhor të 21 prillit, në të cilin u votua nëse duhet shkaktuar kryetarët shqiptarë në katër komunat veriore, Kosova e “ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Europian”.

“Andaj, pas votimit të djeshëm, është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen”, thuhet në komunikatë.
BE-ja ka vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës verën e kaluar, me arsyetimin se ajo nuk kishte bërë mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës në maj të vitit 2023.

Asokohe, serbët lokalë protestuan kundër kryetarëve të rinj para ndërtesave komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, dhe për pasojë situata u përshkallëzua në dhunë. Disa pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, plagosën rëndë. Të plagosur kishte edhe nga ana e protestuesve.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) tha të dielën se ka dështuar nisma për shkakrimin e kryetarëve në Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, pasi vetëm 253 persona votuan prej 46.556 qytetarëve që kishin të drejtë vote.

Për të qenë i suksesshëm procesi, do të duhej të votonin 50 për qind plus 1 votues. Kjo nënkupton se kryetarët aktualë do t’i vazhdojnë mandatet e tyre.
Qeveria tha se i vjen keq për pjesëmarrjen e ulët në votimin e djeshëm dhe “falënderon ata të cilët ushtruan të drejtën e tyre demokratike dhe ligjore”.

“Jemi të vetëdijshëm ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto komuna. Rezultatet e votimit të djeshëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë”, tha qeveria.

Nisma për largim ose jo të kryetarëve u organizua pasi bashkësia ndërkombëtare kërkoi largimin e kryetarëve shqiptarë nga pozitat e tyre, duke theksuar se, ndonëse procesi i prillit të vitit të kaluar – kur ata i kanë fituar zgjedhjet – ishte i ligjshëm, megjithatë, ai nuk e pasqyroi vullnetin e qytetarëve.

Zgjedhjet e prillit të vitit 2023 ishin organizuar pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës. Edhe në ato zgjedhje, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e kishte bojkotuar procesin zgjedhor dhe u kishte bërë thirrje serbëve lokalë të veprojnë njëjtë.

Blloku europian ka shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të mos marrë pjesë në votimet 21 prillit, ani pse paraprakisht ishte deklaruar pozitivisht për to./REL

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top