VOA: Udhëheqësit botërorë mblidhen në Nju Jork, mes krizave të shumta globale

Mes një vorbulle konfliktesh dhe krizash në një botë të fragmentuar, sfida e udhëheqësve që po marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë javë është të bashkëpunojnë jo vetëm për çështjet madhore, por edhe për modernizimin e institucioneve ndërkombëtare që u ngritën pas Luftës së Dytë Botërore, në mënyrë që të përballojnë kërcënimet dhe problemet e së ardhmes.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres e prezantoi këtë sfidë një vit më parë, pasi lëshoi një alarm global për rrezikun e mbijetesës së njerëzimit dhe planetit, duke i ftuar udhëheqësit në një “Samit të së Ardhmes” për një angazhim të ri ndaj multilateralizmit – themeli i Kombeve të Bashkuara dhe shumë organizatave të tjera globale – dhe për një reformim të arkitekturës së vjetër globale që të përshtatet me një botë që po ndryshon me shpejtësi.

Shefi i OKB-së u tha gazetarëve javën e kaluar se ideja e takimit të nivelit të lartë “lindi nga një fakt i ftohtë dhe i dhimbshëm: sfidat ndërkombëtare po ecin më shpejt se sa aftësia jonë për t’i zgjidhur ato”.

Ai vuri në dukje “ndarjet gjeopolitike jashtë kontrollit” dhe konfliktet, ndryshimet klimatike, pabarazitë, borxhet dhe teknologjitë e reja si inteligjenca artificiale për të cilat nuk ka mekanizma kontrolli.

Samiti dyditor filloi të dielën, dy ditë para fillimit të takimit të nivelit të lartë të udhëheqësve botërorë në OKB, në Nju Jork. Asambleja e Përgjithshme miratoi të dielën në mëngjes dokumentin kryesor prej 42 faqesh të rezultatit të samitit – “Paktin e së Ardhmes” me konsensus. Amendamentet e propozuara nga Rusia që do ta dobësonin ndjeshëm dokumentin u hodhën poshtë me 143 vota pro, 7 kundër dhe15 abstenime.

Pakti është një plan për t’u përballur me sfidat globale, që nga konfliktet dhe ndryshimet klimatike deri tek inteligjenca artificiale dhe reformimi i OKB-së dhe institucioneve globale. Ndikimi i tij do të varet nga zbatimi nga 193 vendet anëtare të asamblesë.

“Udhëheqësit duhet të pyesin veten nëse ky do të jetë thjesht një takim tjetër i radhës, ku ata vetëm do të flasin për bashkëpunim dhe konsensus më të madh, apo nëse do të shfaqin imagjinatë dhe bindjen për ta forcuar atë”, tha Agnès Callamard, Sekretarja e Përgjithshme e organizatës Amnesty International.
“Nëse e humbasin këtë mundësi, as nuk kam goxim t’i mendoj pasojat. E ardhmja jonë kolektive është në rrezik”, tha ajo.

Java më e rëndësishme e vitit për OKB-në

Samiti është preludi i takimit të nivelit të lartë të këtij viti, që mbahet çdo shtator. Më shumë se 130 presidentë, kryeministra dhe monarkë janë planifikuar të flasin, ashtu si edhe dhjetëra ministra, dhe çështjet nga ky takim pritet të mbizotërojnë fjalimet dhe takimet e tyre private, veçanërisht luftërat në Gaza, Ukrainë dhe Sudan, si edhe gjasat në rritje për zgjerimin e luftës në Lindjen e Mesme.

“Do të ketë një hendek të dukshëm mes Samitit të së Ardhmes, që përqendrohet tek zgjerimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe realitetit të dështimit të OKB-së në Gazë, Ukrainë dhe Sudan,” thotë Richard Gowan, drejtor për OKB-në në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

“Ato tre luftra do të jenë temat kryesore në pjesën më të madhe të javës”, shton ai.

Një moment i rëndësishëm në mbledhjen e asamblesë hapëse të së martës do të jetë fjalimi i Presidentit amerikan Joe Biden, ndoshta i fundit i mandatit të tij në një skenë botërore.

Ambasadorja e SHBA-së Linda Thomas-Greenfield u tha gazetarëve këtë javë se në takimin e kësaj jave “Më të cenuarit në mbarë botën shpresojnë që ne të shënojmë përparim, të bëjmë ndryshime, t’u përcjellim një ndjesi shprese”.

Ambasadorja Thomas-Greenfield tha se fokusi i SHBA-së në takimet e OKB-së do të jetë tek përpjekjet për t’u dhënë fund luftrave. Rreth 2 miliardë njerëz jetojnë në zonat e prekura nga konflikti, tha ajo.

Shtatorin e kaluar, lufta në Ukrainë dhe presidenti i saj, Volodymyr Zelenskyy, zunë skenën qendrore në mbledhjen globale të OKB-së.

Por me afrimin e përvjetorit të parë të sulmit vdekjeprurës të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, në qendër të vëmendjes pritet të jetë lufta në Gazë dhe përshkallëzimi i dhunës përgjatë kufirit izraelito-libanez, që rrezikon të përhapet në Lindjen e Mesme. Irani mbështet Hamasin në Gazë dhe militantët e Hezbollahut të Libanit. Presidenti i ri i saj, Masoud Pezeshkian, do t’u drejtohet udhëheqësve botërorë të martën pasdite.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas është planifikuar të flasë të enjten në mëngjes dhe kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu të enjten pasdite.

Presidenti Zelenskyy do të jetë në qendër të vëmendjes në dy raste. Ai do të flasë të martën në një takim të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – i thirrur nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Japonia, Malta, Koreja e Jugut dhe Britania – dhe do t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të mërkurën në mëngjes.

Përballë “statistikave të zymta”

Sllovenia, e cila mban presidencën e rradhës të Këshillit të Sigurimit këtë muaj, zgjodhi temën “Udhëheqja për Paqe” për takimin e tij të nivelit të lartë të mërkurën, duke sfiduar 15 vendet anëtare që të identifikojnë arsyet se pse organi i OKB-së i ngarkuar me ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare po dështon – dhe si mund të ketë më shumë rezultate.

“Jetojmë në një botë me statistika të zymta, me numrin më të madh të konflikteve, me viktima rekord mes civilëve, punonjësve humanitarë dhe shëndetësorë, mes gazetarëve,” u tha gazetarëve ambasadori i Sllovenisë në OKB, Samuel Zbogar. Ai përmendi një shifër rekord prej 100 milion njerëz të dëbuar nga shtëpitë e tyre nga konflikti.

“Bota po bëhet më pak e qëndrueshme, më pak paqësore dhe me tkurrjen e respektimit të rregullave, ajo po shkon drejt gjendjeje kaosi,” tha Ambasadori Zbogar.

“Nuk e kemi parë kurrë ndonjëherë më parë një nevojë kaq të madhe për të rikthyer besimin tek garantimi i së ardhmes”.

Një nga arsyet kryesore për mungesën e efektivitetit të Këshillit të Sigurimit janë ndasitë e thella mes pesë anëtarëve të përhershëm me të drejtë vetoje.
Shtetet e Bashkuara, aleati më i ngushtë i Izraelit, është mbështetës i Ukrainës së bashku me Britaninë dhe Francën. Rusia vazhdon agresionin ndaj Ukrainës dhe ka një partneritet ushtarak dhe ekonomik me Kinën, megjithëse Pekini ka rikonfirmuar mbështetjen për sovranitetin e çdo vendi pa kritikuar Rusinë në një dokument të fundit informues për takimet e OKB-së.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri i ri i Britanisë, Keir Starmer, do të jenë në Kombet e Bashkuara këtë javë së bashku me zotin Biden.
Por presidenti rus Vladimir Putin dhe ai i Kinës Xi Jinping po dërgojnë ministrat e tyre të jashtëm. Ata nuk morën pjesë as vitin e kaluar.

Sekretari i Përgjithshëm Guterres, i cili kryeson takimet e kësaj jave, paralajmëroi se bota po përballet me “konflikte të shumta dhe mosndëshkim për to” – një tablo ku, siç tha ai, ndjesia është se “çdo vend ose çdo entitet ushtarak, milici, apo i çdo lloji tjetër mund të bëjë çfarë të dojë, sepse nuk do të kenë pasoja.”

“Dhe fakti që askush nuk e merr seriozisht kapacitetin e fuqive të mëdha për të zgjidhur problemet në terren,” tha ai, “e amplifikon nivelin e mosndëshkimit.”/VOA

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top