VOA: Rekomandimet e Komisionit Europian në shumicën e rasteve të zbatuara pjesërisht

Komisioni Europian vlerësoi sot gjatë publikimit të Raportit Vjetor për Shqipërinë se vendi ka ruajtur përgjithësisht një nivel të lartë ambicieje për të ecur përpara në negociatat e anëtarësimit, duke vënë në dukje se procesi i vazhdueshëm i bisedimeve të anëtarësimit duhet të çojë në një përshpejtim të reformave të lidhura me BE-në. Në fushat kryesore rezulton se rekomandimet e lëna nga Komisioni Europian, në pjesën dërrmuese të rasteve janë zbatuar vetëm pjesërisht, e në disa raste kanë mbetur pa u zbatuar. Raporti shprehet po ashtu se qeveria vazhdoi të miratonte politika dhe ligje, duke ngritur shqetësime në lidhje me respektimin e standardeve të BE-së.

Shqipëria mundi të nisë dy javë më parë bisedimet konkrete për anëtarësim me hapjen e grupkapitullit të parë, të njohur si Themeloret, ku përfshihen fusha të rëndësishme që nga Gjyqësori dhe të Drejtat themelore, te Drejtësia e Siguria, Prokurimet publike, Statistikat dhe Kontrolli financiar. Raporti i këtij viti nis pikërisht me analizën e situatës në këto fusha.

Komisioni i hedh fillimisht një vlerësim zhvillimeve demokratike, duke u ndalur tek parlamenti, mbikqyrja e të cilit mbi qeverinë, sipas raportit, mbetet e kufizuar. Në të flitet për polarizimin e lartë dhe përplasjet mes shumicës dhe opozitës “për shkak të kufizimeve të pretenduara të të drejtave të saj”, shkruhet në raport.

Sa i takon qeverisë, Komisioni Europian thotë se ajo vazhdoi të tregojë përkushtimin e saj për integrimin në BE, por anga ana tjetër vihet në dukje se “Qeveria vazhdoi të miratonte politika dhe ligje, duke ngritur shqetësime në lidhje me respektimin e standardeve të BE-së. Shqetësuese mbetet ndarja e përgjegjësive ndërmjet pushtetit vendor dhe atij qendror”.

Duke u ndalur te kapitujt që janë pjesë e bisedimeve të nisura, e përbashkëta është se vendi vlerësohet të jetë “mesatarisht i përgatitur”, por ndërsa vlerësohen fushat specifike, në pjesën dërrmuese të rasteve rezulton se rekomandimet e lëna nga Komisioni Europian janë zbatuar vetëm pjesërisht, ndërsa në disa raste kanë mbetur pa u zbatuar.

Lidhur me funksionimin e gjyqësorit “mbeten shqetësimet mbi përpjekjet për ndërhyrje politike dhe presion ndaj sistemit gjyqësor, si dhe mangësitë në emërimet, që duhet të jenë të bazuara në merita, të anëtarëve jomagjistratë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe për integritetin e tyre”.

Ndërsa sa i takon luftës ndaj korrupsionit, Shqipëria vlerësohet të jetë “mes të qenurit disi e përgatitur dhe mesatarisht e përgatitur, dhe se ka treguar disa përparime”.

Raporti vlerëson rezultatet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në ndjekjen dhe hetimin çështjeve komplekse antikorrupsion, përfshirë ato që lidhen me politikanë dhe zyrtarë të nivelit të lartë, si dhe çështjet që përfshijnë mbrojtjen e interesave financiare të BE-së. Megjithatë vihet në dukje se “korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe përpjekjet parandaluese kanë pasur një ndikim të kufizuar”.

Edhe për luftën kundër krimit të organizuar është SPAK-u ai, që ka marrë vlerësime, por vendit i kërkohet që “të vazhdojë të punojë për të siguruar pavarësinë e agjencive të saj të zbatimit të ligjit”.

Në dy fusha, “të drejtat themelore” dhe “liria e shprehjes”, Shqipëria rezulton të mos ketë zbatuar, rekomandimet e lëna nga Komisioni Europian një vit më parë./VOA

 

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top