Vllaznia e Teuta janë dy skuadrat e fundit çerekfinaliste të Kupës së Shqipërisë. Shkodranët dominuan 4-0 përballë Flamurtarit, duke nzjerrë jashtë kompeticionit skuadrën e fundit të mbetur nga Kategoria e Parë. Durrsakët, në ndeshjen tjetër, me dy gola në tetë minuta në pjesën e dytë eliminuan Skënderbeun.
Vllaznia konfirmon momentin e mirë, me fitoren e gjashtë radhazi mes kampionatit e Kupës. 4-0 kundër Flamurtarit është një tregues se skuadra e Osmanit e ka krijuar tashmë fizionominë e saj, në një sezon që nisi shumë i vështirë. Sidoqoftë, kuqeblutë e gjejnë veten në vendin e tretë në kampionat dhe në cerekfinale të Kupës. Për shkodranët u bë shumë e thjeshtë që në fillim, me tre gola në pjesën e parë me Balajn, Malën dhe Alivodën. Në të dytën ishte Boshnjaku ai që vulosi çdo gjë, duke e mbyllur takimin me “poker”. Kështu Vllaznia, me ndeshjen e pestë nga gjashtë me rrjetë të paprekur, tashmë do të presë shortin për t’u njohur me kundërshtarin e çerekfinales.
Shenja ringritje të Teutës, që skuadra e Martinit i kishte dhënë në barazimin me Tiranën, në ndeshjen e fundit të kasmpionatit. Durrsakët e vendit të fundit, kanë marrë tashmë një sukses 2-0 në Durrës përballë Skënderbeut, duke e nxjerrë skuadrën e Gvozdenovic nga kompeticioni. Skuadra durrsake ka dominuar takimin e sotëm ndaj korçarëve duke krijuar më shumë raste para portës, e ndihmuar edhe nga fakti që ekipi korçar mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të portierit Alia. Në minutën e 48′, në fillimin e pjesës së dytë, Daci zhbllokoi ndeshjen, ndërsa në të 56′ 18 vjeçari Arifi mbylli llogarinë me bardhekuqtë.