Pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe mbylljes së qendrave të votimit, koalicioni VLEN përmes një konference për media tha se presin fitore që në raundin e parë në komunat Çair, Tetovë, Saraj, Bogovinë, Zhelinë dhe Tearcë.
“Presim fitore pothuajse në secilën komunë. Jemi optimistë se në disa prej komunave se gara do të mbyllet që në raundin e parë. Kjo vlen për komunën e Çairit. Jemi afër fitores edhe në komunën e Tetovës në raundin e parë. Gjithashtu presim fitoren edhe në komunën e Sarajit, në komunën e Bogovinës, Zhelinës dhe Tearcës. Jemi në prces të grumbullimit të informatave”, – thotë VLEN.
Ndërsa nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi shpalli fitoren në Komunën e Likovës dhe Pllasnicës.
“E fillojmë fitoren e madhe me fitore në raundin e parë në dy komuna, dhe atë në Likovë ku ka mbaruar procesi zgjedhor dhe kandidati jonë Erkan Arifi ka fituar. Po ashtu edhe në Pllasnicë ka fituar kandidati jonë”, tha Arbër Ademi.
Reagoi edhe kandidati i VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti që shpalli fitoren në këtë komunë duke u shprehur se me këtë fitoi një klasë e re politike, dhe se kundërshtarët shkuan në pension. Mexhiti porositi Ahmetin të tërhiqet nga politika, sepse siç u shpreh votat e qytetarëve e çuan në pension.
“Në Çair fituan të gjithë shqiptarët. Sot dua të them me zë të qartë se fituan të gjithë shqiptarët. Urime pensionimin kundërshtarëve politikë. Fitorja jonë nuk është fitore personale, por është fitore e një klase politike që sjell ndryshim. Faleminderit shqiptarë. Lkjo është fitore e dinjitetit qytetar, e shpresës që qytetarët e kanë fituar me votë të lirë. Falënderojmë institucionet që garantuan një proces të qetë dhe demokratikë”, deklaroi Izet Mexhiti, VLEN.