Goli ndaj Parmës ishte një sinjal i fortë dhe i qartë i hedhur në të gjithë kampionatin, por Dusan Vlahovic ende nuk i ka zgjidhur dilemat mbi çështjet e tij të merkatos. Sulmuesi hyri në fushë në fund të ndeshjes së parë të kampionatit duke shënuar golin e 2-0 për Juven, një lloj përgjigjeje për David që i kishte marrë vendin, por edhe për vetveten: pas një vere me biseda dhe zëra merkatoje, ai lejoi që të ishte fusha ajo që të fliste, por kjo nuk garanton qëndrimin në bardhezi për gjithë pjesën tjetër të sezonit. Sesioni do të mbyllet për më pak se një javë dhe serbi, brenda 48 orëve, do t’i flasë hapur klubit duke zbuluar të gjitha kartat e tij.
Sipas Gazzetta dello Sport, në dy ditët e ardhshme ai do të zgjidhë të gjitha nyjet, duke marrë një vendim mbi qëndrimin e tij të mundshëm te bardhezinjtë. Rrugët e mundshme për t’u ndjekur janë vetëm dy dhe momentet e fundit të kësaj vere të nxehtë mund t’i përmbysin plotësisht të ardhmen që nuk është më e lidhur ngushtë me Torinon, qytet ku prej disa orësh kanë mbërritur edhe prindërit e tij për ta ndihmuar të marrë një vendim shumë të rëndësishëm.
Dušan's ⚽️ pic.twitter.com/Pkz7qqreya
— JuventusFC (@juventusfcen) August 25, 2025
Cilat janë alternativat e Vlahovic
Nuk ka shumë zgjedhje për sulmuesin, i cili ka vetëm dy mundësi për të provuar të ndryshojë kursin e karrierës së tij dhe për t’u rikuperuar nga një sezon jo edhe aq pozitiv. Brenda 48 orëve të ardhshme Vlahovic do të duhet të flasë hapur: ai mund të qëndrojë te Juventusi për gjithë sezonin dhe të lirohet me parametër zero në vitin 2026, duke rrezikuar megjithatë të ulet shpesh në stol, ose të pranojë një nga ofertat që e kanë tunduar gjatë muajit të fundit. Babai Milos dhe nëna Sladjana e kanë arritur në Itali në orët e fundit, për të qëndruar pranë tij dhe eventualisht për të shërbyer si këshilltarë.
Bardhezinjtë do të preferonin alternativën e dytë, në mënyrë që të kursejnë pagën shumë të rëndë prej 12 milionë eurosh neto dhe të shmangin humbjen e tij falas pas një viti, por ende asgjë nuk është vendosur. Vlahovic ka refuzuar disa oferta në javët e fundit, por do të lëvizte me dëshirë për të shkuar te Milani dhe për t’u ribashkuar me Massimiliano Allegri, edhe pse në realitet kuqezinjtë kanë marrë rrugë të tjera në sulm duke e bërë gjithçka më të ndërlikuar.