Tetori ka mbërritur dhe temperaturat për përplasjen vendimtare me Serbinë, për kualifikueset e Botërorit 2026 po rriten. Sidoqoftë, tani tifozët e dinë se me cilët lojtarë do të përballen në transfertën e zjarrtë të Leskovacit. Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e muajit tetor, jo vetëm kundër Serbisë, por edhe miqësores ndaj Jordanisë.
Tekniku kuqezi ka thërritur 25 lojtarë dhe risia e vetme është futbollisti i Shkëndijes së Tetovës, Klisman Cake. Qendërmbrojtësi ka qenë më parë pjesë e Kombëtares U-21 dhe pas paraqitjeve të mira me Shkëndijën, ku arritën edhe kualifikimin historik në grupet e Conference League, ka bindur trajnerin Sylvinho për ta ftuar në Kombëtare.
Ai që nuk po bind dot brazilianin, pavarësisht 4 golave e 3 asisteve në 8 ndeshje, është Anis Mehmeti. Anësori i Bristol City në Championship vazhdon të mos thërritet nga tekniku i Kombëtares, që në anën tjetër beson te Jasir Asani që luan në Iran dhe Nedim Bajrami që emrin e ka te Rangers por lojën e sheh nga pankina e tribuna.
Pjesa tjetër, asnjë surprizë. Të gjithë emra që janë të përhershëm në zgjedhjet e teknikut Sylvinho, duke filluar nga Broja që minutat i ka me pikatore, por me brazilianin që mesa duket ëndërron ti kthehet në kohët e lavdisë së shkurtër të golave të shënuara ndaj Hungarisë, sepse që aty është në black-out total.
Lista e lojtarëve
Portierë: Thomas Strakosha, Mario Dajsinani, Simon Simoni
Mbrojtës: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Ardian Ismajli, Enea Mihaj, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Klisman Cake
Mesfushorë: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Jasir Asani
Sulmues: Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku
⚽ Lista e Kombëtares për ndeshjet kundër Serbisë dhe Jordanisë, më ️ 11 dhe 14 tetor#ForcaShqiperi #Kombetarja pic.twitter.com/eVaOnv3xp3
— FSHF (@FSHForg) October 3, 2025
Grumbullimi
Grumbullimi i Kombëtares nis të hënën, më 6 tetor, në Tiranë, ku kuqezinjtë do të përgatiten fillimisht për sfidën kualifikuese të Kupës së Botës ndaj Serbisë, e cila do të luhet më 11 tetor në stadiumin “Gradski stadion Dubočica” në Leskovac, në orën 20:45.
Ndeshja miqësore Shqipëri – Jordani, do të zhvillohet më 14 tetor, në “Air Albania”, në 19:00. Biletat për këtë ndeshje janë në shitje online në linkun Shqipëri – Jordani, si dhe në pikë fizike pranë stadiumit “Air Albania”.