Dosja e vjedhjes së mbi 700 mijë eurove në Postën e Durrësit po kalon për shqyrtim te prokuroria dhe gjykata e posaçme, pas dyshimeve se skema mund të ketë funksionuar si grup i strukturuar kriminal dhe se në të mund të jenë përfshirë edhe ish-zyrtarë që sot janë deputetë.
Prokuroria e Durrësit shpalli moskompetencën dhe ia dërgoi dosjen SPAK-ut. Ndërkohë, me vendim të gjykatës, edhe aktet gjyqësore do t’i përcillen Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, për shqyrtimin e mëtejshëm të çështjes.
Kalimi i dosjes u argumentua me dy elemente: natyrën e veprës penale dhe funksionet e personave të dyshuar. Prokuroria e Durrësit iu referua nenit 75/a, germat “b” dhe “c”, të Kodit të Procedurës Penale, duke kërkuar që SPAK të vlerësojë nëse vjedhja u krye nga një grup i strukturuar kriminal dhe nëse në skemë u përfshinë zyrtarë të lartë. Këto mbeten dyshime që kërkojnë hetim, jo përfundime të provuara.
Deri në këtë fazë, dosja u hetua nga prokurori i Durrësit, Gazmend Frëngu. Ndërkohë, avokati mbrojtës i ish-drejtoreshës së Postës Durrës, Elisabeta Mataj, Ilia Ilia, ka pretenduar se klientja e tij është e pafajshme dhe se ajo ka qenë personi që ka denoncuar skemën e dyshuar të përvetësimit të fondeve të rindërtimit. Sipas avokatit, ndaj Matajt është organizuar një puç për të shmangur përgjegjësinë e ish-drejtuesve të tjerë që, sipas tij, kanë qenë të përfshirë në këtë skemë.
“Grupi që drejtonte vjedhjet me mbështetje politike. Arrestimi i Fetah Matajt është vepër penale dhe shpërdorim i pastër detyre. Të gjithë lekët e tërmetit kanë kaluar përmes postës shqiptare. Pë mua është ai grup kriminal që ka drejtuar postën shqiptare dhe kur Elizabeta Mataj erdhi jashtë dëshirës së tyre, e implikuan dhe për fat të keq prokuroria Durrës ndoqi rrjedhën e grupit kriminal, pasi tashmë është e provuar se vjedhja ka shkuar mbi 3.6 miliardë dhe grupi ka funksionuar prej vitesh me ASHK, me Tatimet dhe shumë të tjerë. Grupi me mbështetje politike që drejtonte vjedhjet nuk u mjaftua vetëm me puçin që i bëri Elisabeta Matajt duke e futur në burg, turp, nëna e 6 kalamajve rrinte në burg ndërsa 2 të tjerët rrinin në arrest shtëpie dhe përpunonin provat dhe futën në burg edhe burrin e saj Fetah Matajt. Arrestimi i tij është vepër penale, shpërdorim i pastër detyre nga prokuroria dhe gjykata se nuk mund të procedohet dhe arrestohet një njeri pa pasur prova”, shtoi avokati Ilia Ilia.
Çështja u bë publike në korrik, kur u arrestua drejtoresha e atëhershme e Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj. Ajo akuzohet se, në bashkëpunim me vartësit, përvetësoi mbi 700 mijë euro të destinuara për pagesën e pensioneve në Krujë dhe Shijak.
Dy muaj pas arrestimit, Mataj u la në arrest shtëpie, masë në të cilën ndodhet aktualisht. Në arrest shtëpie janë edhe ish-shefja e financës, Valbona Duni, dhe arkëtarja, Paola Dana.
SPAK merr në hetim zhdukjen e 700 mijë eurove nga Posta e Durrësit, dyshime për përfshirjen e deputetes së PS, Etleva Budini
19 Nëntor, 10:52
“Me vendimin e datës 20 nëntor 2026, gjykata shpalli moskompetencën lëndore për shqyrtimin e kërkesës penale me kërkuese shtetasen E.M. dhe vendosi dërgimin e akteve në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë. Sipas vendimit, palët nuk kanë të drejtë ankimi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Durrësit.