Vizita e Klinton në Tiranë/ Lubonja: Pse u ndjeva i turpëruar nga ceremonia!

Analisti Fatos Lubonja tha se është ndjerë i turpëruar kur ka parë ceremoninë me të cilën u prit ish presidenti Bill Klinton në Tiranë. Lubonja tha se ata që ishin në ceremoni u dukën si përfaqësues të një populli trushpëlarë, nëpërmjet një shfaqjeje që të kujtonte vizitat e Hrushovit në komunizëm.

“U ndjeva keq për popullin shqiptar, sepse mu kujtua ajo koha kur vinte Hrushovi. Kur mblidhej gjithë populli dhe priteshin sikur kishte ardhur Zoti mbi tokë. Kjo ishte fryma, një popull që i shplahen trutë, një provincë e mjerë që nuk ka zhvilluar dot një mendim kritik. Mban një fjalim të turpshëm për mendimin tim për shkak të përmbajtjes, por më turp më erdhi kur rreshtuan ata fëmijët e shkretë me emrat Hillari dhe Klinton. Fatkeqësia është që ka njerëz që u duket shumë e bukur kjo, por mua më kujtoi ata fëmijët që merrnin emrin e Stalinit, Hilterit, dhe nuk kanë emrat e gjyshërve të tyre. Duhet të jesh shumë vend i papjekur për të bërë këto akte”, u shpreh ai.

Lubonja preku edhe mesazhin kryesor të ceremonisë që ishte kritika që Klinton kishte për Albin Kurtin. Sipas analistit, Rama e shfrytëzoi vizitën e ish presidentit amerikan për të sulmuar Kurtin që sot ofron një model qeverisjeje krejt të ndryshëm nga Rama.

Lexo edhe: Bill Klinton thirret në Tiranë kundër Albin Kurtit: Ndal marrëzinë në veri të Kosovës!

“Kjo vizitë i shërbeu kryeministrit Rama, dhe politikave të tij që në momentin aktual janë të përqëndruara për të kundërshtuar dhe luftuar Albin Kurtin, i cili përfaqëson një pushtet që është në kundërshtim me pushtetin që mban në këmbë Edi Ramën, që janë oligarkia, krimi i organizuar, mediat ku investojnë dhe partnerët ndërkombëtar”, tha Lubonja, sipas të cilit Klinton ishte i keqinformuar.

“E pash të keqinformuar Clinton, për të mos thënë të keqpërdorur me atë që po ndodh në Kosovë, dhe se kush janë shakatarët e asaj krize. Në këtë konflikt duhej trajtuar dy palët, por kur ke një kryeministër që në vend të mbajë një qëndrim afër Kosovës, ky ka hall ta përdorë duke shfrytëzuar këtë krizë në Kosovë, kur Kurti në thelbin e vet ka një qëndrim të drejtë që duhet mbështetur. U bë sikur erdhi Zoti dhe solli lirinë”, deklaroi ai.

“Nuhata nëpër të, duke parë dhe prezencën e Sorosit, të birit të tij. Këta ndërruan rol dhe në vend t’i thonë vetes që kemi gabuar dhe më herët që kemi mbështetur dy lidera autokrat këtej dhe andej, në Shqipëri dhe Serbi, këta ia veshin tani Kurtit dhe e sulmojnë në mënyrë të padrejtë. Gjykoj se Kurti kërkon mbështetje nga shqiptarët tani”, tha më tej Lubonja.

Por, duke marrë parasysh situatën dhe konfliktin aktual në Kosovë, ku ka gabuar Kurti?

“Nëse ka një gabim, është ndoshta një lloj ndërgjegjësimi jo aq i madh se në Kosovë duhet ndërtuar një Kosovë me dinjitet dhe jo që i var shpresat te ndërkombëtarët. Problemin e krijuan serbët që sulmuan në atë mënyrë sa trembën ndërkombëtarët, dhe këta ndryshuan kartë’, tha ai.

Ndërkohë mungesën e liderëve të Kosovës në këtë ceremoni, Lubonja e konsideron si fyerje që iu bë këtij shteti.

“Po ja ishin ata Clinton-ët e vegjël përfaqësues? Ishte një fyerje për Kosovën në të gjitha drejtimet. Nuk e di nëse janë ftuar apo liderë të Kosovës, por duhej thënë. Dyshoj se nuk janë ftuar, sepse ka vendosur Rama se ky është që përcakton gjithçka”, tha Lubonja.

 

 

 

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top