Një situatë e pazakontë është krijuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ndërsa vijon procesi për përzgjedhjen e kandidatëve për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Sipas burimeve thuhet se KLP është mbledhur sërish sot, ndërsa përpara anëtarëve janë një sërë kërkesash për përjashtim, të cilat kanë krijuar një situatë të pazakontë brenda Këshillit. Gjithçka nisi në mbledhjen e kaluar të KLP-së, kur kandidati për Prokuror të Përgjithshëm, Ylli Pjeternikaj, kërkoi përjashtimin e Vat Stakës nga procedura. Pas kësaj, kërkesat vijuan njëra pas tjetrës. Vat Staka kërkoi përjashtimin e Zeqir Hodës, Hoda kërkoi përjashtimin e Sokol Stojanit, ndërsa Stojani kërkoi përjashtimin e kryetares së KLP-së, Mirela Bogdani.
Në kërkesën e tij, Stojani ngre pretendime mbi paanshmërinë e kryetares dhe kërkon që Bogdani të mos marrë pjesë në drejtimin, shqyrtimin, diskutimin dhe votimin e kërkesave për përjashtim. Kështu, mbledhja e sotme e KLP-së zhvillohet mes një zinxhiri kërkesash për përjashtim: Pjeternikaj kërkoi përjashtimin e Stakës, Staka të Hodës, Hoda të Stojanit dhe Stojani të kryetares Bogdani.