Ndeshja e fundit e javës së 22 të Premier League është një vorbull emocionesh. Manchester United fluturoi në 2-0 dhe 3-1, por u arrit nga Wolves në minutën e 95′. Djajtë e Kuq panë ferrin përpara se të ktheheshin në Parajsë. Një aksion i mahnitshëm nga Kobbie Mainoo i siguroi Ten Hag një fitore 4-3 në minutën e 97′ dhe vendin e shtatë me 35 pikë. Në ndeshjen tjetër të sotme, West Ham fshiu gabimin e rëndë të Kalvin Phillips dhe barazoi 1-1 me Bournemouth.
WOLVERHAMPTON 3-4 MANCHESTER UNITED
Ndodhi gjithçka në Molineux, ku Manchester United rrezikoi të hedhë në kosh më të thjeshtën e fitoreve. Në fund, festoi në minutën e 97′ falë Kobbie Mainoo. 4-3 ndaj Wolves dhe vendi i shtatë i vetëm për ten Hag. Menaxheri riktheu Rashford si titullar pas kaosit të javës së kaluar, me mungesën në stërvitje për një natë në klubet e Belfast. Anglezi ja shpërbleu, duke shfrytëzuar asistin e Højlund në minutën e 5′, për të kaluar në epërsi Red Devils. Kishte vetëm një skuadër në fushë dhe United shënoi 2-0 në minutën e 22. Shaw krosoi ulët dhe Højlund e dërgoi topin pas shpinës së portierit. Ndeshja e dytë radhazi me gol e asist për danezin, që thyen rekordin e Cristiano Ronaldos duke e arritur këtë me Man United para moshës 21-vjeçare.
Casemiro e Højlund panë t’i anulohen dy gola për pozicion jashtë loje nështesën e të parës. Wolverhampton përfitoi duke rihapur ndeshjen me Sarabia me penallti në minutën e 71′. McTominay ktheu distancën e sigurisë duke shënuar me kokë në minutën e 75′. Epërsia e dyfishtë e Djajve të Kuq zgjati vetëm dhjetë minuta, sepse Kilman përfitoi nga mbrojtja e dobët në një këndore për të bërë rezultatin 3-2 (85′). United u frikësua dhe u fundos pas një kundërsulmi të Wolves me 3-3 e shënuar nga Pedro Neto në minutën e 95′. Por ende nuk kishte mbaruar, sepse në minutën e 97′ Kobbie Mainoo shënoi golin e fitores: 4-3 ndaj Wolverhampton. United fluturon në vendin e shtatë me 35 pikë: Newcastle dhe Brighton janë prapa (32), ndërsa Wolves mbetet i 11-ti me 29.