Në javën e 9-të të Superiores Bylis është dorëzuar në Adush Muça përballë Skënderbeut. Sfida e zhvilluar në Ballsh, përfundoi 0-1 në favor të miqve. Vendosi Rashica 9 minuta nga fundi, duke zbritur formacionin e Nevil Dedes në vendin e fundit të renditjes.
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Skënderbeu ka marrë një fitore të rëndësishme në një transfertë të vështirë siç është ajo ndaj Bylis. Ballshiotët, në fushën e tyre, janë gjithnjë një ekip shumë i vështirë për t’u mposhtur. Rezultatet negative të javëve të fundit e kishin bërë edhe Gvozdenovic të ishte në emergjencë pikësh. Ndoshta për këtë fakt dy skuadrat u kujdesën më shumë të mos gabonin.
Si rrjedhojë lindi një ndeshje intensive por pa raste të pastra shënimi, sidomos në pjesën e dytë. Shumë faulle dhe zëvendësimet e trajnerëve e ulën fare ritmin. Sidoqoftë, Rashica shfrytëzoi momentin e vetëm të përshtatshëm për të vulosur rezultatin. Në minutën e 81′, sulmuesi lëshoi një gjuajtje mjeshtërore nga hyrja e zonës, duke mposhtur portierin ballshiot. Presioni i fundit i Bylis solli vetëm një traversë të goditur, që nuk ndaloi Skënderbeun të merrte tre pikët që e bashkojnë me grupin e skuadrave më lart, ndonëse mbetet në vendin e 8.
Me këtë fitore bardhekuqtë ngjiten në kuotën e 10 pikëve. Humbja e pestë radhazi, ndërkohë, për Bylis që zbret në vendin e fundit me vetëm 5 pikë të grumbulluara pas një faze kampionati.