Javë e mallkuar mund të konsiderohet kjo për lojtarët e kombëtares së Shqipërisë. Sikur të mos mjaftonte dëmtimi i dhimbshëm i Armando Brojës me Everton, tani kanë dalë jashtë “përdorimit” edhe dy qendërmbrojtësit titullarë. Ardian Ismajli ka lënë fushën në minutën e 21′, në ndeshjen kundër Lecce, ndërsa Berat Gjimshiti tre minuta më pas në transfertën e Udines.
Ardian Ismajli ka lënë në vështirësi Empolin, duke u dëmtuar në sfidën në shtëpi përballë Lecce. Qendërmbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka lënë fushën e lojës në minutën e 21’. Nuk dihet ende shkalla e dëmtimit të pësuar nga Ismajli, që u zëvendësua nga De Sciglio. Priten tashmë ekzaminimet mjekësore, për të saktësuar kohët e rikuperimit, duke shpresuar që të mos jetë një dëmtim i rëndë.
Berat Gjimshiti ka qenë gjithashtu i pafat. Kapiteni i Kombëtares ka pësuar një dëmtim në transfertën e Udines. Qendërmbrojtësi i Atalantës është dëmtuar në minutën e 24′ dhe është detyruar të lërë fushën e lojës. Gjatë një aksioni të skuadrës kundërshtare, Gjimshiti në tentativë për të ndalur sulmuesin, është dëmtuar prej tij. Në vend të tij është aktivizuar Hien, ndësa priten vizitat mjekësore për të mësuar shkallën e dëmtimit. Probleme për teknikun e kombëtares Sylvinho, edhe pse fatmirësisht marsi është ende larg.